
Vuçiq i përgjigjet Osmanit: S’bëhet asgjë pa e ditur SHBA dhe Kina

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që Beogradi zyrtar ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti me Prishtinën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”, ka thënë Vuçiq më 12 korrik.
Dy ditë më parë, më 10 korrik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka “informacion të besueshëm” se presidenti amerikan, Donald Trump e ka “parandaluar së fundmi” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë të drejtuar nga Serbia në Kosovë.
“Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë… a mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”, ka pyetur Vuçiq.
Ai ka përmendur më herët gjatë ditës se në takim me përfaqësuesin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan kanë diskutuar për çështje globale, marrëdhënie bilaterale dhe sigurinë e Ballkanin Perëndimor.
“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.
Në postimet e tij në rrjetet sociale, Vuçiq nuk ka ofruar hollësi nëse ka diskutuar me zyrtarin amerikan për deklaratat e fundit të presidentes Osmani apo ato të presidentit Trump.
Qeveria në detyrë e Kosovës dhe as Ministria në detyrë për Punë të Brendshme nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të treguar më në hollësi për rrezikun e sigurisë nga Serbia dhe se për çfarë përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.
Beogradi zyrtar ka thënë se deklaratat e Osmanit janë “të rreme”.
Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje – të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.
(Kosova Sot Online)