Një polic i Kosovës arrestohet për sulm ndaj kolegut në stacion policor

  • A.P /
  • 02 August 2025 - 09:33
Një polic i Kosovës arrestohet për sulm ndaj kolegut në stacion policor

Një zyrtar policor në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij gjatë orarit të punës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas komunikatës për media, hetuesit e IPK-së janë njoftuar pasditen e sotme për incidentin dhe menjëherë kanë nisur veprimet hetimore. Pas hetimeve fillestare, zyrtari policor u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm”.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij nga detyra, në interes të hetimeve.

Hetuesit janë në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe paralajmërohet se do të ndërmerren edhe veprime të tjera për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

IPK thekson se mbetet e përkushtuar për të adresuar çdo veprim të jashtëligjshëm të zyrtarëve policorë, me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të integritetit të Policisë së Kosovës.


(Kosova Sot Online)