
Trump: Një rënie e çmimeve të energjisë mund ta detyrojë Putinin të ndalojë

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë së fundmi një intervistë për emisionin Squawk Box të CNBC, ku ka sugjeruar se një rënie e mëtejshme e çmimeve të energjisë mund ta detyrojë presidentin rus Vladimir Putin të ndalojë pushtimin e Ukrainës dhe “të ndalojë së vrari njerëz”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Nëse energjia bie mjaftueshëm, Putini do ndalojë së vrari njerëz,” raportohet të ketë thënë Trump.
Bëhet e ditur se ai tutje ka shpjeguar që, “nëse çmimi i naftës bie edhe 10 dollarë për fuçi, ai nuk do ketë zgjidhje tjetër, sepse ekonomia e tij merr fund.”
Trump gjithashtu ka përsëritur kërcënimin se do të rrisë tarifat ndaj Indisë shumë shpejt, për shkak të blerjeve të saj të vazhdueshme të naftës ruse.
“Ata kanë tarifat më të larta nga të gjithë… Ramë dakord për një tarifë prej 25%, por mendoj se do ta rris ndjeshëm brenda 24 orëve të ardhshme, sepse po blejnë naftë ruse, po ushqejnë makinerinë e luftës – dhe nëse do vazhdojnë kështu, nuk do jem i lumtur.”
(Kosova Sot Online)