
Edmondi i cili u vra në Gjilan, ishte martuar 3 muaj më parë

Vetëm tre muaj pasi kurorëzoi dashurinë e tij me martesë, Edmond Hasani ka humbur jetën tragjikisht së bashku me babain e tij, Selami Hasani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Babë e bir u vranë nga persona të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme të fajdesë.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë ditës së djeshme në rrethana ende të paqarta, por që kanë tronditur thellë opinionin në mbarë vendin.
Edmondi ishte i martuar me Njomza Grabanicën, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Komunën e Klinës.
Sot, Gjilani do të përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat e kësaj tragjedie. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e qytetit pas namazit të ikindisë, në orën 16:40.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. Sipas deklaratave të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të dyshuar të tjerë ndodhen në arrati. Ata janë identifikuar si Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe dy djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22). Autoritetet kanë shpallur në kërkim të trefishtë të dyshuarit, ndërkohë që apelojnë për bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e tyre.
(Kosova Sot Online)