Orban i bindur: Rusia e ka fituar luftën

  • A.P /
  • 13 August 2025 - 09:40
Orban i bindur: Rusia e ka fituar luftën

Rusia e ka fituar luftën në Ukrainë, ka deklaruar kryeministri djathtist i Hungarisë, Viktor Orban, para samitit ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut rus, Vladimir Putin të premten në Alaskë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në pushtet qysh prej vitit 2010, Orban është kritikuar prej disa liderëve europianë për lidhjet e qeverisë së tij me Rusinë dhe për kundërshtimin e dhënies së ndihmës Ukrainës, derisa kabineti i tij po ka telashe ta ringjallë ekonominë nga tronditja e inflacionit.

Orban, i cili ka ruajtur lidhjet e ngushta me Putinin edhe pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, është bërë lideri i vetëm i një shteti anëtar të BE-së që të hënën nuk ka mbështetur deklaratën e përbashkët të liderëve në përkrahje të Ukrainës që të përcaktojë vetë të ardhmen e vendit.

Menjëherë pas publikimit të deklaratës së BE-së, Orban ka publikuar një postim në llogarinë në X, duke justifikuar vendimin e tij. Ai ka theksuar se para se “kori liberal” të fillojë “interpretimin e tij më të ri të melodisë së tyre të preferuar ‘kukulla e Putinit’, vendosa të ndaja pse nuk mund ta mbështesja deklaratën në emër të Hungarisë”.

“Ne tani po flasim sikur të ishim në një situatë të hapur të fundit të luftës, por nuk është kështu. Ukrainasit e kanë humbur luftën. Rusia e ka fituar këtë luftë”, ka deklaruar Orban për kanalin “Patriot” në YouTube.

“Çështja e vetme është kur dhe në çfarë rrethanash Perëndimi, që qëndron prapa Ukrainës, do ta pranojë se kjo ka ndodhur dhe çfarë rezultati do të ketë prej gjithë kësaj”, ka shtuar ai.


(Kosova Sot Online)