
Vuçiq po e zhyt Serbinë në luftë civile

Shumë media gjermane kanë raportuar për trazirat në Serbi në ditët e fundit. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në programin televiziv të lajmeve kryesore të shërbimit publik ARD.
Raportime më të shkurtra mbi ngjarjet u botuan nga shumë portale dhe gazeta. Ja fragmente nga artikuj karakteristikë rreth këtyre ngjarjeve:
Andrej Ivanji shkruan për Tagesspiegel me qendër në Berlin: “Nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit në Serbi kanë qenë kryesisht paqësore. Pastaj të martën, përplasjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Presidentit Aleksandar Vuçiq u përshkallëzuan në qytete të vogla në Vojvodinë, Vrbas dhe Baçka Palanka. Të mërkurën, studentët bënë thirrje për protesta nën sloganin Serbi, zgjohu! Qytetarët në kryeqytetin Beograd, si dhe në Novi Sad, Nish, Krushevac, Smederevo, Uzhice, Çaçak, Pançevo dhe Lazarevac, iu përgjigjën thirrjes. Trazira të rënda shpërthyen në disa qytete dhe rreth 70 persona u plagosën ditën e dytë, siç njoftoi Ministria e Brendshme.”
“Regjimi është në një kurs konfrontimi me studentët. Njësitë speciale të policisë luajnë vetëm një rol dytësor. Ato nuk kanë mjaftueshëm njerëz dhe kur ka demonstrata të njëkohshme në disa qytete, ato zakonisht janë plotësisht të mbingarkuara. Aktivistët dhe simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet u liruan mbi qytetarët që demonstronin kundër autokracisë së korruptuar dhe për sundimin e ligjit.”
Pasi përshkruhet pamja mjaft e ngjashme e këtyre simpatizantëve të Vuçiqit “me qafa të trasha, shpatulla të gjera, që tregojnë muskuj të fortë dhe shpesh me tatuazhe, bluza dhe kapele të zeza, dhe shumë prej tyre janë të maskuar”, thuhet se mediat kritike i kanë identifikuar shumë prej tyre si kriminelë me të dhëna të gjera policore.
Artikulli gjithashtu kujton shkurtimisht shembjen në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar. Opozita beson se kjo tragjedi u shkaktua nga “korrupsioni endemik” ndërsa qindra mijëra studentë hynë papritmas në skenën politike, duke këmbëngulur gjatë nëntë muajve të fundit në “rezistencë të palodhur kundër regjimit të Vuçiçit”. “Rezistenca studentore tani është forca më e fortë politike në Serbi.”
Ivanji dha gjithashtu një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve të ditëve të fundit, përleshjeve dhe dhunës përpara zyrave të partisë SNS, dhe në rrugët e Novi Sadit.
“Të mërkurën, Vuçiç u shfaq në selinë e partisë në Beograd gjatë protestave masive. Atje, ai i inkurajoi anëtarët e SNS-së të përballeshin me demonstruesit. Gazetari i famshëm Milan Qulibrk komentoi për këtë duke thënë se Serbia nuk ka më president. Domethënë, në mes të krizës, Vuçiq mbështeti njërën anë dhe doli përpara si udhëheqës i partisë dhe jo si kreu i shtetit – Vuçiq vetëm formalisht e drejton partinë.
“Të dy njoftuan se çfarë të presin tani: Anëtarët e SNS-së nuk do të tërhiqen më dhe do të mbrojnë shtëpitë dhe pronën e tyre nga sulmet terroriste, sipas parimit: të gjithë për një – një për të gjithë.”
“Në vend që thjesht të shpallë zgjedhje të parakohshme, Vuçiq po e zhyt vendin në luftë civile, njoftoi lëvizja studentore në llogarinë e saj në Instagram”, shkruan Tagesspiegel.
Gazeta Rheinische Post publikoi një raport të shkurtër mbi atë që po ndodh “Nga Novi Sadi deri në Nish” nën titullin “Protestat antiqeveritare po përshkallëzohen në Serbi”.
Gazetari Thomas Roser raporton se Presidenti Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se do t’i pastrojë rrugët nga huliganët dhe se nuk do të ketë mëshirë për… ata.
“Në vendin e përçarë politikisht që aspiron anëtarësimin në BE, muaj të tërë protestash për korrupsion janë përshkallëzuar. Vuçiq fajëson kritikët e tij për përplasjet e përgjakshme. Megjithatë, aktivistët studentorë, opozita dhe media e pavarur flasin për trazirat që janë orkestruar nga banditët e partisë në pushtet.”
(Kosova Sot Online)