
Dodik paralajmëron referendum

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka njoftuar se në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës do të mbahet referendum në fund të shtatorit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këtë e tha ai më 18 gusht në një konferencë për media në Banja Llukë, në të cilën kryeministri i entitetit, Radovan Vishkoviq, dha dorëheqje.
Shpallja e referendumit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës (KQZ) ia hoqi Dodikut mandatin për postin e presidentit të Republikës Sërpska. Dodik kërkon që për këtë çështje të shprehen qytetarët.
Vendimi i KQZ-së u mor pak ditë pasi Gjykata e Bosnjës, në fillim të gushtit, e shpalli Dodikun fajtor dhe e dënoi me një vit burgim, si dhe me gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
“Ne kërkojmë respekt dhe liri, e cila do të vijë përmes referendumit. Kjo është porosia jonë – na ktheni te Marrëveshja e Dejtonit. Qëndrimin tonë do ta japim në referendumin që do të mbahet në fund të shtatorit”, tha Dodik.
Ekipi i tij ligjor ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të KQZ-së, e cila tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Bosnjës. Sipas ligjit, më 18 gusht skadon afati treditor brenda të cilit Dhoma e Apelit e kësaj gjykate duhet të marrë vendim.
Ky vendim do të jetë përfundimtar dhe do të përcaktojë nëse Dodik mbetet në detyrë apo mandati i tij zyrtarisht përfundon.
Nëse ankesa refuzohet, KQZ duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për tetorin e vitit të ardhshëm.
(Kosova Sot Online)