Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë

  • A.P /
  • 20 August 2025 - 08:11
Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë

Shtypi gjerman ka shprehur një shqetësim në rritje për gjendjen e demokracisë në Serbi. Sipas mediave atje, ndërsa qytetarët kërkojnë drejtësi dhe liri, heshtja e BE-së po interpretohet si tradhti ndaj vlerave që vetë ajo përfaqëson. Por njëkohësisht, në protestat masive të qytetarëve, disa shohin fillimin e fundit të një regjimi të cilësuar gjithnjë e më shpesh si autokratik. Gazeta gjermane Tageszeitung ka publikuar një koment me titullin: “Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë”. Aty, thuhet se Vuçiq “me siguri ka bekimin e Putinit për çdo represion”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shtypi gjerman po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Serbi, ku protestat masive qytetare po përballen me represion brutal nga autoritetet. Në komentet e publikuara nga mediat kryesore gjermane, theksohet se regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq është në tronditje dhe se bashkësia ndërkombëtare.

Portali informativ i televizionit publik gjerman Tageschau shkruan se “këto ditë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po tregon fytyrën e tij të vërtetë”. Sipas gazetares Zilke Hane, pushteti në Serbi ka përdorur dhunë të egër kundër protestuesve paqësorë, duke toleruar sulme nga grupe të maskuara të afërta me partinë në pushtet, ndërsa policia ka qëndruar pasive ose ka ndaluar pa dallim protestues, qofshin ata të dhunshëm apo paqësorë.

“Shoqëria civile kërkon drejtësi – për viktimat e aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor në Novi Sad, për viktimat e dhunës policore, dhe për zgjedhje të lira. Kërkon që presidenti të ketë vetëm aq pushtet sa i lejon Kushtetuta. Këto janë kërkesa që në një shtet demokratik evropian do të duhej të ishin të natyrshme”, shkruan gasetarja Hane.

Ajo kritikon rëndë Komisionin Evropian për mungesën e mbështetjes ndaj protestuesve dhe shpreh keqardhje që BE, në vend të mbështesë demokracinë, “u ka kthyer shpinën demonstruesve”.

“Evropa dëshiron të përfitojë nga fuqia ekonomike e Serbisë, pa marrë parasysh sa duar të korruptuara janë të përfshira në këtë. Prandaj u nënshkrua edhe marrëveshja për eksploatimin e litiumit me Beogradin,” shkruan më tej Tageschau, duke paralajmëruar se Evropa rrezikon të humbasë kredibilitetin e saj nëse vazhdon të mbyllë sytë ndaj autoritarizmit të Vuçiqit.

Ndërkohë, gazeta tjetër gjermane Tageszeitung (TAZ) ka publikuar një koment të analistit Erich Rathfelder me titullin: “Regjimi i Vuçiqit mund të bjerë”, duke sjellë një ton më optimist për të ardhmen e protestave në Serbi.

“Nga Serbia vjen shpresa – një vend që që nga vitet ’90 ndërtoi një autokraci të korruptuar, tani duket se po përballet seriozisht me demonët e vet,” shkruan Rathfelder.

Ai thekson se sistemi autokratik i Vuçiqit “mund të tronditet shpejt nëse qytetarët nuk dorëzohen dhe vazhdojnë protestat, pa u frikësuar nga dhuna e bandave proqeveritare”. Ai shton se Vuçiq “me siguri ka bekimin e Putinit për çdo represion”, ndërsa përmend edhe ndikimin rus në ushtrinë serbe dhe investimet e planifikuara nga djemtë e Donald Trump në Serbi, duke i cilësuar si fusnota në një situatë shumë më të thellë politike.

Rathfelder është kritik edhe ndaj politikës gjermane dhe evropiane, të cilat sipas tij, kanë mbështetur për një kohë të gjatë Vuçiqin, duke injoruar sinjalet e autoritarizmit dhe korrupsionit. 

(Kosova Sot Online)