Picula: BE-ja e ka të qartë profilin politik të Vuçiqit

  • A.P /
  • 21 August 2025 - 09:02
Picula: BE-ja e ka të qartë profilin politik të Vuçiqit

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se Bashkimi Evropian tashmë e ka shumë të qartë profilin politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe mënyrën se si ai ushtron pushtetin. Sipas tij, në rrethanat aktuale, Serbia nuk ka asnjë shans real për t’u anëtarësuar në BE, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Nuk ka më iluzione për atë se kush është Vuçiq dhe çfarë përfaqëson pushteti i tij. Pyetja kryesore tani është se si do të ndërtohet qëndrimi ndaj alternativës politike – atyre që mund të marrin pushtetin nesër, ndonëse sot kjo duket si një skenë politike e paqartë dhe e paqëndrueshme,” u shpreh Picula në një intervistë për televizionin kroat “Nova TV”, e transmetuar nga Index.hr

Ai theksoi se megjithëse qeverisja aktuale në Serbi ka legalitet, opozita që proteston në rrugë po fiton gjithnjë e më shumë legjitimitet.

Në këtë kontekst, Picula përmendi edhe tragjedinë e fundit në Novi Sad, ku si pasojë e shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor humbën jetën 16 persona. “Viktima e 17-të, për fat të keq, mund të vijë nga përplasjet gjithnjë e më të ashpra që po ndodhin nëpër rrugët e qyteteve serbe,” paralajmëroi ai.

Eurodeputeti theksoi se ky është një sinjal serioz për ata që po shqyrtojnë kompromiset e mundshme me qeverinë serbe. “Zgjidhja duhet të vijë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” shtoi ai.

Duke komentuar rolin e Kroacisë, Picula tha se vendi i tij duhet të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj, siç u shpreh ai, manipulimeve të pushtetit të Vuçiqit. Ai përmendi rastet kur qytetarë kroatë janë ndaluar dhe dëbuar nga Serbia, si shembull i retorikës nacionaliste dhe sjelljes jo konstruktive të Beogradit.


(Kosova Sot Online)