
Dërguti: Vetëvendosje po i kryen favore Listës Serbe

Aida Dërguti, ka komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe mbledhjen e kryesisë e cila pritet të mbahet nesër, ndonëse nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë nga pakicat serbe, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Dërguti tha se ky është një kalkulim tjetër elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje, duke qenë, sipas saj, të pakënaqur me rezultat e 9 shkurtit, të gjitha përpjekjet tha se shkojnë në drejtim që ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Fillimisht me zgjedhjen e kryetarit të kuvendit u duk se u zgjidh kjo krizë, por hapi i dytë, që duket shumë i çuditshëm, pra ku diskohet për emra të përveçëm të nënkryetarëve, e që është absurd”.
“Kjo nënkupton që veprimet e Vetëvendosjes tenton ta zvarris duke bërë qëllimisht një shkelje kushtetuese, që prapë do të kërkojë një afat shtesë të shqyrtimit të kërkesës kushdo që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe me siguri e kanë planin që zgjedhjet parlamentare të jenë të njëkohshme me zgjedhjet lokale, nëse arrijnë ta bëjnë këtë”, tha Dërguti.
Tutje, Dërguti tha se në prag të zgjedhjeve lokale, VV-ja po i kryen një favor Listës Serbe, duke e problematizuar zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga kjo parti.
“Pra duke e problematizuar zgjedhjen e nënkryetarit nga Lista Serbe po i kryen një favor për këto zgjedhje lokale sepse e dimë që Rashiqi nuk përfiton nga kjo përkrahje apo nga kjo qasje që ka qeveria ndaj tij sepse votuesit serbë duan përfaqësuesit e tyre dhe jo dikë që instrumentalizohet nga Kurti”, tha ajo.
(Kosova Sot Online)