
Starmer: Britania nuk do t’ia dorëzojë flamurin ekstremit të djathtë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka deklaruar të dielën se Britania nuk do të dorëzohet kurrë para protestuesve të ekstremit të djathtë që, siç tha ai, e përdorin flamurin si mbulesë për dhunë dhe për të mbjellë frikë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Deklarata e Starmer erdhi pas protestës më të madhe nacionaliste në dekada, të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson (emri i vërtetë: Stephen Yaxley-Lennon), ku u raportuan përplasje dhe sulme ndaj forcave të rendit. Deputetë dhe grupe antifashiste kishin kërkuar më herët që kryeministri të merrte qëndrim të qartë ndaj retorikës dhe sjelljeve të dhunshme gjatë tubimit.
Në reagimin e tij të parë për protestat, Starmer theksoi rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore, por dënoi dhunën dhe frikësimin me baza racore.
“Njerëzit kanë të drejtë për protesta paqësore. Është thelbësore për vlerat e vendit tonë,” – tha ai në një deklaratë për The Guardian. “Por ne nuk do të tolerojmë sulmet ndaj oficerëve të policisë që bëjnë punën e tyre ose që njerëzit të ndihen të frikësuar në rrugët tona për shkak të prejardhjes ose ngjyrës së lëkurës së tyre.”
Starmer shtoi se nuk do të lejohet që flamuri britanik të përdoret si armë për përçarje:
“Britania është një komb i ndërtuar me krenari mbi tolerancën, diversitetin dhe respektin. Flamuri ynë përfaqëson vendin tonë të larmishëm dhe ne kurrë nuk do t’ia dorëzojmë atë atyre që e përdorin atë si simbol të dhunës, frikës dhe përçarjes.”
Sipas policisë, nga 110,000 deri në 150,000 persona morën pjesë në protestën e së shtunës, që u mbajt nën thirrjet e Robinson dhe u shoqërua me retorikë nacionaliste dhe përplasje sporadike me policinë.
(Kosova Sot Online)