Trump: Hamasi do të përballet me ‘zhdukje' nëse këmbëngul të qëndrojë në pushtet

  • A.P /
  • 06 October 2025 - 08:00
Trump: Hamasi do të përballet me ‘zhdukje' nëse këmbëngul të qëndrojë në pushtet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se Hamasi do të përballet me “zhdukje të plotë” nëse refuzon të heqë dorë nga pushteti dhe kontrolli i Gazës, mes përpjekjeve të vazhdueshme për të çuar përpara planin e tij të propozuar të armëpushimit, raporton eksluzivisht media amerikane CNN, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Zhdukje e plotë!”- i tha Trump gazetarit të CNN, Jake Tapper, kur u pyet me anë të një mesazhi  të shtunën se, çfarë do të ndodhte nëse Hamasi këmbëngul të qëndrojë në pushtet.

Gazetari Tapper e shtyu presidentin për përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit të tij për armëpushim prej 20 pikash, duke cituar interpretimin e senatorit Lindsey Graham se Hamasi në fakt e kishte refuzuar planin duke këmbëngulur për “mosçarmatim, duke mbajtur Gazën nën kontrollin palestinez dhe duke e lidhur lirimin e pengjeve me negociatat”.

Presidenti tha se pret sqarim “së shpejti” nëse Hamasi është vërtet i përkushtuar ndaj paqes.

“Po, Bibi”- tha Trump, kur u pyet nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është plotësisht dakord me përfundimin e fushatës së bombardimeve në Gaza dhe mbështetjen e vizionit më të gjerë të presidentit.

Trump shtoi se shpreson që propozimi i tij për armëpushim të bëhet realitet dhe theksoi se po punon shumë për ta arritur atë.


(Kosova Sot Online)