Haxhiu paralajmëron nisje të komunikimeve për qeverinë

  • A.P /
  • 10 October 2025 - 14:30
Haxhiu paralajmëron nisje të komunikimeve për qeverinë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar nisjen e procedurave për formimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se tashmë kanë filluar kontaktet me deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Do të fillojmë me procedura për mandatarin, Albin Kurti, i cili do të drejtojë qeverinë Kurti 3. Kurti është personi më i votuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Jemi të interesuar që sa më parë të fillojmë me procedura dhe do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetë të tjerë,” deklaroi Haxhiu nga holli i Kuvendit.

Ajo shtoi se mund të ketë deputetë nga grupet e tjera parlamentare që do të bashkohen në këtë proces dhe nuk përjashtoi mundësinë e formimit të një koalicioni të ri. Megjithatë, Haxhiu theksoi se Vetëvendosje nuk e përjashton as mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në rast se bllokada politike vazhdon.

Nënkryetarja e Kuvendit reagoi gjithashtu ndaj qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur habinë për deklaratat e kryetarit Memli Krasniqi lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit.

“Është e habitshme qëndrimi i PDK-së. Ata nuk patën asnjëherë votë kundër Listës Serbe. Sot, të gjithë bashkë është dashur të jemi në një vijë dhe të mos lejojmë qëndrime të paqarta ndaj Listës Serbe, duke pasur parasysh që ajo dirigjohet nga Beogradi,” tha Haxhiu.

Ajo e cilësoi si lajm pozitiv konstituimin e Kuvendit dhe theksoi rëndësinë e faktit që tashmë është zgjedhur një nënkryetar që, sipas saj, përfaqëson qytetarët dhe e njeh Republikën e Kosovës.

Duke komentuar zvarritjet procedurale, Haxhiu rikujtoi se seanca e parë është thirrur nga presidentja Osmani dhe theksoi se më shumë se katër muaj pritje i janë dashur për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK sot e dëshmoi që sërish, me qëllimet e tyre, tentuan të mos konstituohet Kuvendi. Ne besojmë se duhet të ecim përpara me formimin e qeverisë, por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një opsion real,” përfundoi Haxhiu.

(Kosova Sot Online)