DhSK përfundimisht e refuzojnë kërkesën e Thaçit

  • A.P /
  • 27 October 2025 - 13:06
DhSK përfundimisht e refuzojnë kërkesën e Thaçit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim, me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, për ndryshime të protokollit të kontaktit, në mënyrë që ai të mos zbatohet më për disa dëshmitarë të Prokurorisë, të cilët janë dëshmitarë në rastin për krime lufte e po ashtu edhe në atë kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja e Thaçit ka pretenduar se protokolli i kontaktit në rastin për krime lufte është shumë më i rreptë se ai në rastin kundër administrimit të drejtësisë, pasi kërkon njoftim paraprak 10-ditor për çdo dëshmitar, pëlqim të informuar nga dëshmitari, video-incizim të kontakteve dhe ndarjen e regjistrimeve me palët e tjera dhe trupin gjykues.

Veç kësaj, mbrojtja pretendon se ekipe tjera mbrojtëse në rastin 12, e po ashtu edhe Prokuroria- kanë një kornizë kontakti më të butë, ndërsa ekipi i Thaçit ka një kornizë më të rreptë për shkak të rastit për krime lufte në lidhje me dëshmitarët e përbashkët.

(Kosova Sot Online)