SHBA-ja është komponenti kyç brenda KFOR-it jo vetëm numerikisht, por edhe në kapacitete strategjike

SHBA-ja është komponenti kyç brenda KFOR-it jo vetëm numerikisht, por edhe në kapacitete strategjike
SHBA-ja është komponenti kyç brenda KFOR-it jo vetëm numerikisht, por edhe në kapacitete strategjike

Arsim Haziri

  • 25 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Deklarata e NATO-s se “nuk ka ndryshime të rëndësishme” është formulim standard diplomatik. Ajo synon stabilitet perceptues dhe shmangien e panikut. Megjithatë, NATO funksionon mbi rishikime periodike të forcave sipas kontekstit strategjik. Pra, rikonfigurimi gradual (jo tërheqje e menjëhershme) është gjithmonë i mundshëm, sidomos nëse prioritetet globale lëvizin, por shteti ynë mbetet në garanci të plotë nga SHBA-ja.

 

-Siç e dimë, SHBA-ja është komponenti kyç brenda KFOR-it jo vetëm numerikisht, por edhe në kapacitete strategjike (inteligjencë, logjistikë, reagim i shpejtë). Evropa mund ta mbushë boshllëkun në aspektin e numrave, por efekti parandalues dhe simbolik i pranisë amerikane është më i madh dhe për këtë gjë Evropa është në dijeni, veçanërisht në rrethanat e sotme. Reduktimi do ta dobësonte sinjalin e fuqisë, jo domosdoshmërisht funksionimin bazë të misionit.

Kur NATO thekson se stabiliteti “varet nga diplomacia” dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja, ajo po vendos theksin se siguria afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm në prani ushtarake. Kjo nuk do të thotë tërheqje nga përgjegjësia, por sinjal se zgjidhja strukturore është politike. Rreziku i vakumit lind vetëm nëse diplomacia dështon dhe paralelisht dobësohet prania në terren.

Aktualisht nuk ka shenja për tërheqje drastike, por ekziston mundësia e ristrukturimit gradual, siç besoj ka ndodhur edhe në të kaluarën. Siguria në terren mbetet e garantuar nga NATO, ndërsa zgjidhja afatgjatë po shtyhet drejt procesit politik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".