PDK, LDK, AAK dhe Nisma i thonë po takimit me Vjosa Osmanin

  • A.P /
  • 30 October 2025 - 15:30
PDK, LDK, AAK dhe Nisma i thonë po takimit me Vjosa Osmanin

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për takim krerët e partive politike për të premten në ora 12:00 për çështjen e mandatarit të ri, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës i ka thënë “PO” këtij takimi me Presidenten, ka konfirmuar Sekretarja e Përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku.

“Po e kemi marrë ftesën dhe Kryetari merr pjesë”, tha ajo.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të merr pjesë në këtë takim.

“Po Kryetari merr pjesë”, tha shkurt për Reporteri.net zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa.

Gjithashtu pjesë e tij do të jetë edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Po, do të marrë pjesë në takim”, tha zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili për Reporteri.net.

Në takimin e së premtes do të marrë pjesë edhe Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Përgjegjësia për mandatarin ka kaluar sërish tek Presidentja, pas dështimit për votimin e Qeverisë së re në seancën e së dielës.

Pro Qeverisë me mandatar për kryeministër, Albin Kurtin, ishin veç 56 vota për nga 61 sa nevojiten.

Osmani kishte paralajmëruar se do t’i ftonte të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.

Edhe mandatari i ardhshëm t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

(Kosova Sot Online)