Emri i Lajçakut figuron në dosjet e publikuara të Epstein
Emri i diplomatit elitar sllovak dhe ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili shërbue edhe si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, figuron në email-at e deklasifikuar të abuzuesit seksual të dënuar, Jeffrey Epstein, raporton mediumi sllovak “Noviny.sk”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Vetë Lajçak nuk e ka konfirmuar komunikimin me Epsteinin e dënuar. Deri tani nuk është e konfirmuar që email-at i ka shkruar vetë Lajçak, por ato janë dërguar me adresën e tij të Ministrisë sa ka qenë minisitër i Jashtëm i Sllovakisë.
“Dosjet që prej muajsh trondisin SHBA-në dhe pozitën e presidentit Donald Trump, tani po arrijnë edhe në Sllovaki”, shkruan ky medium.
Në dokumentet e publikuara gjenden edhe email-a që thuhet se i kanë shkëmbyer mes tyre në vitin 2018. Në to figuron pikërisht emri i diplomatit sllovak Miroslav Lajçak.
Kjo ndodhte në një kohë kur tashmë ishte e njohur se Epstein ishte një abuzues seksual dhe shumë njerëz me ndikim po distancoheshin prej tij. Në komunikim shkruhej edhe për një darkë të mundshme të përbashkët të këtyre dy burrave.
Nuk mund të verifikojmë që emailat i ka shkruar vetë Lajçak, por në dokumentet e publikuara gjendet nënshkrimi i tij elektronik me emrin e tij dhe adresën e Ministrisë së Jashtme, raportoi Noviny.sk.
Epstein iu referua Lajçakut me emrin “Miro”.
Për çfarë shkruanin?
Jeffrey Epstein i dërgoi Lajçakut në mars të 2018-ës një link të një artikulli nga portali The Daily Beast për atë se sa afër një kolapsi psikik ishte Donald Trump. Diplomati sllovak thuhet se i ishte përgjigjur se atë ditë kishte dëgjuar mjaft për këtë temë. Epstein reagoi duke i thënë se pajtohej me të.
Nga korrespondenca e publikuar është gjithashtu e qartë se Miroslav Lajçak thuhet se komunikonte me Jeffrey Epsteinin përmes emailit të tij të Ministrisë.
Emri i diplomat-it sllovak shfaqet edhe në një email që Steve Bannon i dërgoi Epstein-it në vitin 2018.
Steve Bannon është një biznesmen dhe politikan amerikan me qëndrime ultra të djathta, i cili në vitin 2017 ishte këshilltari kryesor strategjik i presidentit Donald Trump.
Çfarë shkruante Bannon?
Bannon e përshkruante Lajçakun si “kryetar të OKB-së”, i cili mund të udhëhiqte “projektin europian” nëse kjo do t’i pëlqente Epstein-it. Emri i tij përmendet edhe në një email tjetër.
Në atë periudhë, për Lajçakun flitej në lidhje me funksionet më të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2016 përmendej si kandidat i mundshëm për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, ndërsa një vit më vonë u bë kryetar i Asamblesë së Përgjithshme – posti i dytë më i lartë në këtë organizatë.
Në të njëjtën kohë, ai shërbente si ministër i jashtëm i Sllovakisë.
(Kosova Sot Online)
