Paralajmëron reduktime me ujë të pijshëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar mbrëmë vonë se Impianti i Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj është nxjerrë jashtë funksionit përkohësisht, si pasojë e turbullirave shumë të larta në kanalin Ibër-Lepenc, të shkaktuara nga reshjet e dendura atmosferike të ditëve të fundit. Këto turbullira e bëjnë të pamundur procesin e trajtimit të ujit, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Si rezultat, disa zona mbesin pa ujë të pijshëm deri në përmirësimin e parametrave: Fushë Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë
KRU “Prishtina” paralajmëron se reduktime dhe ndërprerje të furnizimit mund të shfaqen edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Nga kompania bëhet e ditur se ekipet janë në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme. Furnizimi me ujë pritet të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues.
(Kosova Sot Online)
