KFOR duhet të jetë në Kosovë deri në normalizim të raporteve me Serbinë

  • A.P /
  • 19 November 2025 - 13:00
KFOR duhet të jetë në Kosovë deri në normalizim të raporteve me Serbinë

Në mbledhjen e mbajtur sot, Këshilli Federal i Zvicrës, ka miratuar kërkesën në drejtim të Parlamentit zviceran, për zgjatjen e mandatit të forcave të armatosura zvicerane në kuadër të KFOR-it dhe mundësinë për rritjen e numrit të tyre në rast të nevojave, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas njoftimit të Këshillit Federal, marrë parasysh situatën, KFOR mbetet i nevojshëm për të mundësuar zhvillimin e Kosovës dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

“Në sfondin aktual të politikave të sigurisë, KFOR-i mbetet i nevojshëm si garant i një mjedisi të sigurt që favorizon zhvillimin e Kosovës dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, thuhet në njoftim.

Në këtë komunikatë, thuhet se edhe pse situata duket e qetë, ajo mbetet e paqëndrueshme, sidomos në Veri të Republikës së Kosovës.

“Në vitin 2023, incidentet serioze të sigurisë e shtynë NATO-n të përforcojë dy herë KFOR-in”, shton komunikata.

Tutje thuhet se NATO dhe shtetet anëtare që marrin pjesë në KFOR besojnë se KFOR-i duhet të jetë në Kosovë deri të normalizohen raportet me Serbinë.

“NATO dhe vendet pjesëmarrëse në mision besojnë se vendosja e KFOR-it duhet të vazhdojë derisa marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës të normalizohen. Në këtë sfond, KFOR-i mbetet thelbësor si një garantues ushtarak i një mjedisi të sigurt të favorshëm për zhvillimin e Kosovës dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, thekson komunikata.

Sipas ligjit ushtarak, vendosja e trupave duhet të miratohet nga Parlamenti zviceran.

Që nga tetori i vitit 1999, Forcat e Armatosura Zvicerane kanë marrë pjesë në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s, Forca e Kosovës (KFOR) në Kosovë me kontingjentin e tyre të Kompanisë Zvicerane/SWISSCOY. Forca maksimale e Swisscoy aktualisht është 215 anëtarë të shërbimit që ofrohen vullnetarë për misionin. Vendosja e KFOR-it bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në qershor 2023, Parlamenti e zgjati mandatin deri më 31 dhjetor 2026.

(Kosova Sot Online)