Vuçiq tentoi të fshehë pjesëmarrjen e Serbisë në ushtrimet ruse

  • A.P /
  • 20 November 2025 - 07:28
Vuçiq tentoi të fshehë pjesëmarrjen e Serbisë në ushtrimet ruse

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij kanë tentuar të fshehin faktin se Serbia ka marrë pjesë në ushtrimin e përbashkët ushtarak të Rusisë dhe Bjellorusisë në shtator, por nga Brukseli ka ardhur një reagim i ashpër që e ka zbuluar këtë. Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka qenë i informuar për praninë serbe në ushtrimin “Zapad 2025” dhe se një veprim i tillë është i papranueshëm për një shtet kandidat për anëtarësim në BE, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kos, gjatë një takimi me gazetarë në margjinat e Forumit të Zgjerimit në Bruksel, u shpreh qartë se pjesëmarrja e Serbisë – madje edhe si vëzhguese – në një ushtrim të ushtrisë ruse që po zhvillon luftë në Ukrainë, bie ndesh me vlerat dhe orientimin që pritet nga një vend që synon BE-në.

“Nëse merrni pjesë në një aktivitet të ushtrisë që po vret njerëz në Ukrainë, harroni procesin e anëtarësimit dhe kapitujt. Një vend i tillë kurrë s’mund të bëhet anëtar i BE-së. Kjo është zgjedhja juaj”, ka deklaruar Kos.

Ndërkohë, në Serbi prania në këtë ushtrim është heshtur pothuajse plotësisht. Ushtrimi “Zapad 2025” u zhvillua nga 12 deri më 16 shtator në Rusi dhe Bjellorusi, si edhe në detet Baltik dhe Brencov, ndërsa në listën e vendeve pjesëmarrëse si vëzhguese figuron edhe Serbia.

Eksperti ushtarak Aleksandar Radiç ka thënë për mediat se Serbia është shfaqur si “pjesëmarrëse me status të veçantë vëzhguesi”, më shumë sesa një prezencë standarde e një atasheu ushtarak. Sipas tij, autoritetet serbe kanë tentuar të fshehin këtë rol, duke ndjekur një praktikë të gjatë të minimizimit apo fshehjes së bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.

Radiç kujtoi raste të ngjashme nga e kaluara, duke përmendur ushtrimin “Srem 2014”, të cilin Serbia u përpoq ta fshihte deri kur lajmi u bë publik nga Rusia. Ai theksoi se edhe sot vazhdon një model i tillë komunikimi dhe se “obmana është bërë politikë e pushtetit”.

Mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë: çdo angazhim i Serbisë në ushtri që kryen agresion në Ukrainë është i papajtueshëm me rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe ndërsa tensionet në lindje të Evropës mbeten të larta, pjesëmarrja e Serbisë në ushtrimet ruse vlerësohet nga BE-ja si një lëvizje që e distancon vendin nga Evropa – pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për ta minimizuar apo fshehur atë. 

(Kosova Sot Online)