Vuçiq e pranoi se me Gazprom-in po merren vesh për të mashtruar amerikanët

  • A.P /
  • 21 November 2025 - 11:05
Vuçiq e pranoi se me Gazprom-in po merren vesh për të mashtruar amerikanët

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar hapur bashkëpunimin me kompaninë ruse Gazprom për të anashkaluar sanksionet amerikane dhe për të mashtruar autoritetet financiare të SHBA-ve (OFAC), transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Stojkoviq thotë se Vuçiq, gjatë deklarimeve të tij publike lidhur me shitjen e aksioneve të kompanisë “NIS”, ka zbuluar se Serbia nuk do të ushtrojë të drejtën ligjore për të blerë aksionet e Gazprom-it sipas nenit 8.2 të kontratës së vitit 2008.

Sipas Stojkoviqit, Vuçiq e ka justifikuar këtë vendim duke thënë se Rusia do të paraqiste shitjen si “të detyruar” dhe jo vullnetare, gjë që – sipas presidentit – do të krijonte komplikime.

Avokati serb thotë se ky pretendim është i pavërtetë, sepse e drejta kontraktuale e Serbisë për të blerë aksionet me të njëjtin çmim si blerësi i tretë nuk kufizohet nga motivet e shitësit dhe nuk ndikohet nga mënyra si Rusia e paraqet procesin.

Ai shkon më tej duke theksuar se, nëse Rusia synon realisht të largohet nga NIS-i, atëherë nuk ka rëndësi kush i blen aksionet. Por nëse, sipas tij, qëllimi i vërtetë është anashkalimi i sanksioneve amerikane, atëherë është thelbësore që blerësi të jetë një kompani miqësore që ruan kontrollin real rus mbi operacionet.

Sipas Stokjoviqit, Vuçi, “duke u përpjekur ta justifikojë vendimin”, në fakt ka pranuar publikisht se Serbia po bashkërendon me Gazprom-in një skemë që do t’i lejonte rusët të mbeten pronarë të NIS-it në mënyrë joformale, përmes një blerësi të ndërmjetëm.

“Presidenti Vuçiq e tha vetë: po u shkojmë rusëve ashtu siç u duhet atyre. Ai praktikisht pranoi se po i ndihmon Gazpromit të mashtrojë amerikanët përmes një kompanie të tretë,” shkruan Stojkoviq në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje Departamentit të Thesarit të SHBA-ve dhe OFAC që të mos e miratojnë transaksionin, duke e cilësuar atë një përpjekje për të shmangur sanksionet.

(Kosova Sot Online)