Macron paralajmëroi liderët europianë për tradhti
Presidenti francez Emmanuel Macron raportohet se ka paralajmëruar udhëheqësit europianë se “ekziston mundësia që SHBA të tradhtojë Ukrainën në çështjen e territorit, pa qartësi mbi garancitë e sigurisë”, raportoi revista gjermane Der Spiegel, duke cituar një shënim të rrjedhur nga një telefonatë e fundit mes udhëheqësve europianë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Spiegel tha se kishte siguruar një shënim në anglisht që përmbledhte telefonatën, i cili përfshinte, sipas pretendimeve të mediumit, citime të drejtpërdrejta nga disa pjesëmarrës.
Revista pretendoi se Macron e kishte përshkruar momentin e tensionuar të bisedimeve si “një rrezik i madh” për Zelenskyn, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz shtoi se udhëheqësi ukrainas – i cili ishte gjithashtu në telefonatë – duhej të ishte “shumë i kujdesshëm”.
“Ata po luajnë lojëra si me ju, ashtu edhe me ne”, raportohet të ketë thënë Merz, që revista vlerësoi se ishte një referencë për misionin e Steve Witkoff në Moskë.
Revista shtoi se edhe udhëheqës të tjerë shprehën shqetësimet e tyre, me Alexander Stubb të Finlandës që thuhet të ketë thënë: “nuk duhet t’i lëmë Ukrainën dhe Volodymyrin vetëm me këta njerëz”.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte – i cili në publik është shumë komplimentues për Trump – thuhet se tha se ishte dakord me Alexander “që ne duhet ta mbrojmë Volodymyrin”.
The Guardian, që e publikoi këtë artikull, tha se nuk është e thjeshtë për të verifikuar autenticitetin e këtij shënimi dhe tha se The Guardian nuk ka arritur ta konfirmojë raportin.
Por Der Spiegel tha se foli me “disa” pjesëmarrës në telefonatë, të cilët konfirmuan se ajo ndodhi, dhe dy prej tyre thuhet se thanë se citimet ishin “riprodhuar me saktësi”.
Një zëdhënës i Zelenskyy nuk pranoi të komentonte, ashtu si edhe zyra e Merz, ndërsa Pallati Élysée kundërshtoi citimet që i atribuoheshin Macron.
(Kosova Sot Online)
