Kurti: FSK ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri me njësitet e saj

  • A.P /
  • 07 January 2026 - 14:15
Kurti: FSK ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri me njësitet e saj

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me vërshimet në vend për shkak të të reshurave të mëdha të shiu, duke thënë se ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat në detyrë, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kuri ka thënë edhe se, Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri me njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara.

‘‘Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme, si dhe për të mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Ministri Elbert Krasniqi ka komunikuar dhe ka qenë në kontakt me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet, ndërkaq Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara. Në përballje me vërshime, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ruajtjes së infrastrukturës kritike’’, ka shkruar ai.

Më tej, lideri i VV’së ka thënë edhe se, ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë dhe se situata aktualisht është nën kontroll.

‘’Sipas raporteve të deritanishme të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet e djeshme janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja. Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze’’, ka shkruar ai.

Në fund, Kurti ka bërë të ditur se gjatë natës janë kryer intervenime në shumë lokacione ku edhe ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve.

‘’Bazuar në të dhënave nga terreni, gjatë natës është intervenuar në shumë lokacione ku ka pasur rrëshqitje të dheut dhe gurëve, si dhe në zona ku janë bllokuar pusetat. Kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie.

Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues dhe në shërbim të qytetarëve. Falënderoj qytetarët për solidaritetin e treguar ndaj njëri-tjetrit dhe për bashkëpunimin me institucionet përgjegjës, dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes së shkaktuar nga vërshimet’’, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)