Osmani: Kosova e përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR’in
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Presidentja Osmani e uroi Admiralin Wikoff për marrjen e detyrës së re, “duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e Komanda e Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli dhe duke shprehur besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare”, njofton presidenca.
Gjatë takimit, “Presidentja Osmani ritheksoi mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë që nga viti 1999. Në këtë kontekst, Presidentja shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, si forcë e besueshme parandaluese dhe garantuese e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim’, thuhet në njoftim.
“Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in he theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, vijon njoftimi.
“Në këtë frymë, Presidentja potencoi rreziqet nga aktet destabilizuese të Serbisë dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e saj për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmin terrorist, respektivisht agresionin në Banjskë dhe sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc”, përfundon njoftimi.
(Kosova Sot Online)
