Konfiskohet arma me të cilën dyshohet se u plagosën tre persona
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka konfiskuar armën e zjarrit me të cilën dyshohet se janë plagosur tre persona në një lokal në Deçan.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor në Deçan, rasti ka ndodhur më 13 janar 2026 rreth orës 00:15, në një lokal që ndodhet në rrugën “Luan Haradinaj”.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur tre persona të lënduar nga arma e zjarrit. Të njëjtit janë dërguar me autoambulancë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.
Në vendin e ngjarjes është arrestuar i dyshuari, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë e tipit Zoraki, kalibër 9 mm, një karikator, nëntë fishekë të kalibrit 9 mm si dhe tri gëzhoja.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.
(Kosova Sot Online)
