Vjen reagimi i Sali Berishës pas vendimit të Kushtetueses
Sali Berisha, Kryetari i Partisë Demokratike, këtë të shtunë, në rubrikën e tij në komunikim me publikun në rrjetet sociale, ka reaguar për vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e zv/kryeministres njëkohësisht ministres Belinda Balluku, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Berisha tha se përshëndet vendimin dhe komenton se, sipas tij, kjo ndodhi për shkak të një presioni ndërkombëtar mbi kryeministrin Edi Rama.
“Rama u vërtetoi shqiptarëve se është i aftë të shkelmojë edhe procesin më themelor të viteve të pluralizmit politik, integrimin në BE, për interesat e veta. Rama detyroi kancelaritë e Europës t’i nxjerrin kartonin e kuq e të shkojnë drejt vendimit që nuk është marrë gjatë gjithë ekzistencës së BE-së, vendimi i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit. Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese si shpresa e vetme për ndryshimin e situatës, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet. Rama, në mënyrën më të papërgjegjshme, më anti-Kushtetuese dhe anti-ligjore, vendosi të përdorë GJK-në si mburojë të vjedhjeve të tij. Pas 9 orësh, GJK nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve që, me guximin e tyre, rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.
(Kosova Sot Online)
