Spanja do t’u japë status ligjor rreth 500 mijë migrantëve
Komisioni Evropian ka rezerva të forta në lidhje me njoftimin e qeverisë spanjolle se do t’u japë status ligjor rreth 500,000 migrantëve të parregullt, thanë tre zyrtarë të BE-së për Euronews, të shqetësuar se kjo mund të bie ndesh me politikën aktuale të Bashkimit Evropian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Vendimi u njoftua në fund të janarit dhe prek njerëzit që kanë hyrë në vend para 31 dhjetorit 2025. Për t’u kualifikuar, të huajt pa dokumente duhet të kenë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj ose të kenë kërkuar azil para fundit të vitit 2025.
Dekreti i ri do t’u ofrojë përfituesve një leje qëndrimi njëvjeçare dhe të drejtën për të punuar në çdo sektor kudo në Spanjë, për të forcuar objektivin e qeverisë për “rritje ekonomike dhe kohezion social”, tha në atë kohë Ministrja e Migracionit Elma Saiz për transmetuesin publik spanjoll RTVE.
Lëvizja e qeverisë së kryeministrit Pedro Sánchez është pritur me mosmiratim në Bruksel.
“Kjo nuk është në përputhje me frymën e Bashkimit Evropian mbi migracionin”, tha një nga zyrtarët e BE-së për Euronews. Një tjetër theksoi se një legalizim masiv rrezikon të dërgojë një mesazh të ndryshëm krahasuar me atë që BE-ja po komunikon aktualisht jashtë Evropës për të penguar migracionin e parregullt.
Sipas burimeve në Bruksel, një nga shqetësimet kryesore ka të bëjë me mundësinë që me statusin e tyre të ri, migrantët e rregulluar do të jenë në gjendje të udhëtojnë nëpër Evropë për një maksimum prej 90 ditësh çdo 180 ditë. Shqetësimi është se kjo mund të rezultojë në përpjekjen e disa njerëzve për të vendosur vendbanim në vende të tjera të BE-së pa leje.
(Kosova Sot Online)
