Lista Serbe ka vepruar kundër proceseve në Kosovë dhe ka shërbyer si mekanizëm i politikave të Beogradit

Lista Serbe ka vepruar kundër proceseve në Kosovë dhe ka shërbyer si mekanizëm i politikave të Beogradit
Lista Serbe ka vepruar kundër proceseve në Kosovë dhe ka shërbyer si mekanizëm i politikave të Beogradit

Arsim Haziri

  • 10 February 2026 - 00:16

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje, në tërësinë e agjendës së saj politike dhe institucionale, ka treguar një nivel më të lartë të dinjitetit shtetëror dhe politik krahasuar me qeverisjet e mëparshme. Qasja e saj ndaj qeverisjes, pavarësisht sfidave të shumta të brendshme dhe të jashtme, ka reflektuar një përpjekje për konsolidim institucional, rritje të sovranitetit dhe forcim të shtetit ligjor. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë punësh të mira dhe reformash, për të cilat opinioni publik është në dijeni dhe të cilat kanë dëshmuar një ndryshim të dukshëm nga praktikat e qeverisjeve të kaluara, ku shpesh mungonte vullneti politik dhe përgjegjësia institucionale.

 

-Në këtë kontekst, duhet trajtuar edhe çështja e nënkryetarit nga minoriteti serb, e cila që në fillim ka qenë e gabuar dhe lehtësisht e kuptueshme si e tillë. Ky gabim jo vetëm që është evident, por gjen mbështetje edhe në vetë dispozitat kushtetuese, të cilat janë keqinterpretuar apo instrumentalizuar për qëllime të caktuara politike. Shtyrja e Nenad Rashiqit për pozitën e nënkryetarit ka qenë më tepër një veprim i kalkuluar politik dhe strategjik, e jo një domosdoshmëri institucionale apo kushtetuese. Në asnjë mënyrë nuk mund të pretendohet se ky veprim është bërë pa dijeni apo pa vetëdije për pasojat politike dhe institucionale që mund të prodhonte.

Ajo që sot shihet qartë si domosdoshmëri, dhe që njëkohësisht paraqet një mangësi të trashëguar ndër vite, është krijimi dhe funksionalizimi i plotë i organeve shtetërore. Edhe pse në këtë drejtim jemi vonuar, kryesisht si pasojë e neglizhencës së përgjithshme të klasës politike ndër vite – ndonëse me dallime të caktuara – Kosova ka humbur kohë dhe energji në procese të rëndësishme shtetndërtuese. Këto humbje janë reflektuar veçanërisht në kontekstin aktual politik, rajonal dhe ndërkombëtar, ku vendimmarrja e ngadalshme dhe mungesa e konsistencës institucionale kanë prodhuar pasoja konkrete.

Tashmë është e njohur se Lista Serbe, në vazhdimësi, ka vepruar kundër proceseve demokratike në Kosovë dhe ka shërbyer si mekanizëm i drejtpërdrejtë i politikave të Beogradit. Kjo listë, në vend që të përfaqësonte interesat reale të komunitetit serb në Kosovë, ka funksionuar si instrument bllokues i institucioneve dhe proceseve shtetërore. Megjithatë, nën qeverisjen Kurti, kjo strukturë politike ka humbur ndjeshëm nga determinimi dhe fuqia e saj politike, çka përbën një zhvillim pozitiv për funksionimin e shtetit, pavarësisht faktit se ajo gëzon status kushtetues si përfaqësuese e një minoriteti.

Lista Serbe, si zgjatim politik i Beogradit, gjatë kësaj periudhe ka filluar të përjetojë një proces që mund të quhet “leksion” dhe korrigjim politik, lidhur me mënyrën se si duhet të sillet karshi institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky proces nuk ka ardhur rastësisht, por është rezultat i një qasjeje më të vendosur të qeverisë ndaj ligjit, sovranitetit dhe funksionimit institucional. Është pikërisht gjatë qeverisjes Kurti që kjo listë ka hasur për herë të parë kufij të qartë institucionalë dhe politikë.

Në këtë proces të ashtuquajtur leksion politik, fatkeqësisht, janë përfshirë edhe disa diplomatë ndërkombëtarë, të cilët hapur kanë dalë në përkrahje të pozicioneve të Serbisë. Këto qëndrime kanë kontribuar në stagnimin e drejtësisë dhe kanë dëmtuar pozicionin e Kosovës, i cili në shumë raste ka qenë i argumentuar dhe i dëshmuar. Megjithatë, kjo situatë ka ekspozuar qartë standardet e dyfishta dhe ka nxjerrë në pah nevojën që Kosova të ndërtojë politika më të pavarura dhe më të qëndrueshme në raport me faktorët ndërkombëtarë.

Për këto arsye, konsideroj se proceset e shtyra nga qeveria kanë qenë të denja dhe, në praktikë, po rezultojnë të qëndrueshme dhe të drejta. Është plotësisht normale që gjatë ushtrimit të qeverisjes të ketë pajtime, por edhe mospajtime me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo që ka rëndësi thelbësore është qëllimësia e mirë dhe orientimi i qartë në shërbim të interesit të shtetit dhe të qytetarëve të tij.

Sot, Kosova ka më shumë dinjitet shtetëror, më shumë funksionalitet institucional, më shumë sundim të ligjit dhe një frenim të dukshëm të politikave destruktive që për një kohë të gjatë i ka ushtruar Lista Serbe. Këto zhvillime, pavarësisht sfidave, përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit dhe forcimit të subjektivitetit politik të Kosovës në arenën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".