Zelensky: Ukraina po përballet me mungesë raketash
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se vendi i tij mund të përballet me mungesë serioze të raketave për mbrojtje ajrore si pasojë e konfliktit në rritje në lindjen e Mesme.
Në një intervistë për BBC, Zelesky tha se lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po devijon burimet ushtarake amerikane, duke ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se dwshiron një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme pasi kjo do ta dobësonte Ukrainën.
“Për Putinin, një luftë e gjatë në Iran është përparësi. Kjo çon në rritje të çmimeve të energjisë dhe në shterimin e rezervave të SHBA-së”, deklaroi Zelensky.
Po ashtu, Zelensky paralajmwroi se Ukraina mund të përballet “definitivisht” me mungesë të raketave Patriot- një nga sistemet kryesore të mbrojtjes ajrore.
Ai theksoi se SHBA prodhon rreth 60–65 raketa në muaj, ndërsa vetëm në ditën e parë të luftës në Lindjen e Mesme janë përdorur mbi 800 raketa.
“Kjo tregon se sa shpejt mund të shterohen rezervat”, tha ai.
Qëndrimi i Trump dhe thirrje për unitet
Duke folur për presidentin amerikan, Donald Trump, Zelensky u shpreh se ai nuk po mban anë të qartë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas tij, Trump po mundohet të mbajë një rol negociatori dhe të mos “irritojë” Putinin, duke zgjedhur dialog të afërt me Moskën.
Zelensky gjithashtu bëri thirrje që Trump të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, për të krijuar një qëndrim të përbashkët mes aleatëve perëndimorë.
Lufta në Lindjen e Mesme po ndikon Ukrainën
Konflikti në Lindjen e Mesme, tashmë në javën e tretë, është përhapur në rajonin e Gjirit, me Iranin që ka ndërmarrë sulme ndaj shteteve fqinje si kundërpërgjigje ndaj goditjeve nga SHBA dhe Izraeli.
Zelensky tha se kjo situatë po ndikon negativisht në negociatat për paqe në Ukrainë.
“Negociatat po shtyhen vazhdimisht. Ka vetëm një arsye – lufta në Iran,” u shpreh ai.
Vizita në Europë dhe mesazhi për aleatët
Gjatë vizitës së tij në Londër, Zelensky u takua me liderë britanikë dhe mbajti fjalim para deputetëve, ku theksoi lidhjen mes Rusisë dhe Iranit.
“Regjimet në Rusi dhe Iran janë vëllezër në urrejtje dhe në armë”, tha ai.
Vizita e tij në Mbretërinë e Bashkuar është pjesë e një turi në kryeqytetet europiane, që përfshinë edhe Parisin dhe Madridin me synim ruajtjen e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën në një kohë kur vëmendja globale po zhvendoset drejt Lindjes së Mesme.
(Kosova Sot Online)
