Zyrtarisht sot përfundon mandati i Presidentes Vjosa Osmani

  • A.P /
  • 04 April 2026 - 10:05
Zyrtarisht sot përfundon mandati i Presidentes Vjosa Osmani

Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i përfundon  sot mandati i saj. Osmani do t’i dorëzojë detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ceremonia e dorëzim-pranimit do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00, sipas njoftimit zyrtar.

Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021 nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Në këtë raund, 11 vota ishin të pavlefshme, ndërsa kandidati tjetër, Nasuf Bejta, nuk mori asnjë votë.

Në raundin e parë kishin votuar 81 deputetë, ku Osmani kishte marrë 69 vota dhe 12 vota ishin shpallur të pavlefshme. Edhe në raundin e dytë rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për zgjedhje: Osmani mori 67 vota, 11 ishin të pavlefshme dhe Bejta siguroi 4 vota.

Pas përfundimit të raundit të tretë dhe shpalljes së rezultatit, Osmani bëri betimin si presidente dhe mbajti një fjalim para deputetëve, duke theksuar përgjegjësinë që i ishte besuar dhe duke inkurajuar veçanërisht vajzat dhe gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre.

Në fjalimin e saj, ajo nderoi figurat historike të Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin, si dhe sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan në krijimin e shtetit.

Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 3 prill 2021, u mbyll pas përfundimit të votimit dhe fjalimit të Osmanit.

(Kosova Sot Online)