Ukraina sulmon rafineritë ruse

  • A.P /
  • 18 April 2026 - 16:45
Ukraina sulmon rafineritë ruse

Dronët ukrainas kanë goditur një numër të vogël objektesh nafte të Rusisë gjatë natës, përfshirë dy rafineri në rajonin e Samarës dhe një port në Detin Baltik që eksporton produkte nafte, kanë njoftuar të shtunën guvernatorët vendorë rusë dhe një zyrtar i ushtrisë ukrainase.

Trupat e Kievit kanë shtuar sulmet ndaj depove dhe rafinerive ruse të naftës, burime kryesore të të ardhurave për buxhetin e luftës së Moskës, duke synuar ndonjëherë edhe vende mijëra kilometra larg kufijve të Ukrainës.

Në rajonin e Leningradit, i cili rrethon Shën Petersburgun dhe kufizohet me Finlandën, guvernatori Alexander Drozdenko tha se një zjarr ishte shuar në portin Vysotsk, ku gjendet terminali Lukoil.

Në një deklaratë në Telegram duke pranuar sulmin në port, komandanti i forcave të dronëve të Ukrainës, Robert Brovdi, tha se forcat ukrainase sulmuan gjithashtu rafineritë e naftës në qytetet Novokuibyshevsk dhe Syzran në rajonin e Samarës. Të dy vendet janë goditur vazhdimisht gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ta bëjmë naftën ruse përsëri të madhe”, shkroi ai me sarkazëm.

Brovdi gjithashtu kritikoi vendimin e SHBA-së për heqjen e ndalesës për blerjen e naftës ruse.

Guvernatori i rajonit Samarë, Vyacheslav Fedorishchev, tha se objekte industriale u goditën duke mos cekur llojin e tyre.

Sipas Brovdit, një seri sulmesh kohëve të fundit ndaj objekteve të naftës së Rusisë në Primorsk, Ust-Luga, Sheskharis dhe Tuapse ka ulur dërgesat totale ditore të naftës me rreth 880,000 fuçi.

Sipas tij, një depo nafte në Sevastopolin e pushtuar nga Rusia në Krime ishte gjithashtu cak i sulmit të së shtunës.

(Kosova Sot Online)