Vuçiç po e çon Serbinë drejt izolimit
Eurodeputeti austriak Andreas Schieder, pas mbledhjes së Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe fjalimit të komisioneres për zgjerim Marta Kos, deklaroi se Serbia po shënon regres në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa vendet e tjera po përparojnë.
Ai dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për presidentin serb Aleksandar Vuciq, duke theksuar se askush serioz në Parlamentin Evropian nuk e mbështet më atë.
“Aleatët e tij janë shpërndarë – ai është tani i vetëm”, tha Schieder.
Sipas tij, ekziston shqetësim i madh për zbatimin e rekomandimeve të OSCE dhe ODIHR lidhur me proceset zgjedhore në Serbi. Zgjedhjet e fundit, veçanërisht ato të vitit 2023, janë kritikuar ashpër. Komisionerja Kos theksoi se këto probleme duhet të zgjidhen para zgjedhjeve të ardhshme.
Schieder theksoi gjithashtu shkelje të shumta të sundimit të ligjit dhe një listë të gjatë rekomandimesh nga Komisioni i Venecias që duhet të zbatohen menjëherë.
Ai paralajmëroi se Bashkimi Evropian mund të fillojë ngrirjen e disa fondeve për Serbinë, duke shtuar se askush nuk dëshiron të financojë një regjim jodemokratik i ky i Vuciqit.
“Procesi i zgjerimit bazohet në meritë. Nevojiten reforma, standarde evropiane, sundim i ligjit, pavarësi e gjyqësorit dhe zgjedhje funksionale. Në të gjitha këto fusha janë shënuar shkelje nga Aleksandar Vuciq dhe shumica e tij parlamentare. Ose do të ketë ndryshim, ose fondet do të bllokohen”, tha ai.
Ai shtoi se miratimi i ligjeve nga agjenda evropiane është vetëm një hap i parë, ndërsa BE pret zbatim konkret të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, raporton mediumi malazes
Schieder theksoi se shumica në Parlamentin Evropian dhe Komision janë në anën e lëvizjes studentore dhe opozitës demokratike në Serbi, duke dënuar dhunën ndaj tyre.
Ai përsëriti se Aleksandar Vuciq mund të zgjedhë: të rikthejë vendin në rrugën demokratike ose të përballet me një të ardhme të vështirë.
Duke folur për raportin e ardhshëm të Parlamentit Evropian, bazuar në punën e Tonino Picula, ai tha se toni do të jetë shumë kritik.
Në fund, Schieder deklaroi se ka fituar në gjykatë kundër disa mediave tabloide serbe që kishin publikuar dezinformata për të gjatë misionit vëzhgues në zgjedhjet e vitit 2023, duke theksuar se kjo është një mesazh se dezinformimi mund të sfidohet dhe të mposhtet.
(Kosova Sot Online)
