Artikulli i Ramës dhe Vuçiq, Shehu i PD: Gabim strategjik

  • A.P /
  • 04 May 2026 - 14:15
Artikulli i Ramës dhe Vuçiq, Shehu i PD: Gabim strategjik

Artikulli i përbashkët i kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq në median gjermane lidhur me përjashtimin e procesit të integrimit të dy vendeve në BE, ka shkaktuar debat sot në Komisionin e Jashtëm.

I thirrur në komision, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se editoriali i përbashkët nuk interpretohet si aleancë e veçantë mes këtyre dy vendeve. Ai hodhi poshtë se artikulli i botuar ka dëmtuar Kosovën.

Nga ana tjetër deputeti demokrat, Tritan Shehu u shpreh se artikulli i Shqipërisë dhe Serbisë kërkon një rrugë të ndërmjetme për t’u anëtarësuar në BE, gjë që Brukseli nuk e pranon.

Debati

Ferit Hoxha:

Fakti që ky opinion është firmosur së bashku me të nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si tregues i ndonjë aleance të veçantë apo, aq më pak, i ndonjë projekti kundër dikujt, as në rajon e as jashtë tij. Është veçse një artikull: as aleancë e as projekt.

Përkundrazi, ai dëshmon se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve shpesh të thella (siç janë ato që kemi me Serbinë, në mënyrë të veçantë në papajtueshmërinë e skajshme lidhur me Kosovën), janë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët kur interesat strategjike përkojnë. Integrimi evropian është një nga këto interesa madhore që kërkon bashkëpunim, dialog dhe pragmatizëm.

Shumë është shkruar e thënë se ato dy faqe artikull i paskëshin bërë dëm Kosovës. Kjo është absolutisht e pabazë.

Tritan Shehu:

Artikulli Rama- Vuçiq na dëmton shumë. Kërkon që të gjejë rrugë të ndërmjetme. Nuk ka rrugë të ndërmjetme, ka vetëm një rrugë, atë të plotësimit të standardeve. Kush jemi ne që të përcaktojmë modalitetet? Duhet të jemi realistë. BE u ndërtua si një hapësirë vlerash, lirie dhe demokracie dhe këto janë shkelur në Shqipëri. Është një artikull që shkon me linjën e vjetër të Ramës që filloi me Ballkanin e Hapur. Ju na lidhët me Serbinë. Është gabim I madh strategjik. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Serbinë. Ata janë drejt Lindjes, drejt Rusisë, kjo është Serbia. Duke na lidhur me Serbinë, dëmtoni rëndë Shqipërinë. Pse e bëni këtë? Sepse regjimet kanë frikë nga BE-ja dhe në këtë linjë Tirana e Beogradi janë njësoj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, propozuan në shkurt një qasje të re për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një opinion të përbashkët të botuar në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, dy liderët sugjerojnë një “rrugë realiste” drejt Bashkimit Evropian, duke zhvendosur fokusin nga anëtarësimi i plotë te integrimi në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.

Në shkrimin e tyre, Rama dhe Vuçiq nuk këmbëngulin për një afat të shpejtë anëtarësimi në BE, por propozojnë përfshirjen e vendeve kandidate të përgatitura në tregun e përbashkët dhe në lëvizjen e lirë të zonës Schengen. Sipas tyre, kjo do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët dhe ekonomitë respektive, ndërkohë që do të forconte edhe pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të vetë BE-së.

(Kosova Sot Online)