Trump paralajmëron Iranin: Ose do të bëjmë marrëveshje, ose do shkatërroheni
Donald Trump u nis drejt Kinës me mesazhe të forta në adresë të Iranit, ndërsa pritet të zhvillojë një takim me homologun e tij kinez Xi Jinping.
Në deklaratat për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan vlerësoi Pekinin duke thënë se “SHBA dhe Kina janë dy superfuqitë e botës”, por paralelisht dërgoi paralajmërime të ashpra ndaj Teheranit.
“Liderët iranianë ose do të bëjnë gjënë e duhur, ose ne do ta mbarojmë punën”, deklaroi Trump, duke shtuar se “Irani është plotësisht nën kontrollin tonë”.
Ai theksoi gjithashtu se Teherani “nuk mund të ketë armë bërthamore”, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshje, pasojat do të jenë të rënda.
“Ose do të bëjmë marrëveshje, ose do të shkatërrohen. Në çdo rast, ne fitojmë”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump foli edhe për Pakistanin, duke i cilësuar pakistanezët si “ndërmjetësues të shkëlqyer”, ndërsa vlerësoi rolin e udhëheqjes politike dhe ushtarake të vendit.
Sa i përket marrëdhënieve me Kinën, ai konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë të gjatë me Xi Jinping për luftën në Iran, megjithëse shtoi se nuk beson që presidenti kinez do ta ndihmojë Uashingtonin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
(Kosova Sot Online)
