Pse Serbia hesht ndaj kritikave të FBI-së?
Xu Zewei, shtetas kinez që Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar për hakimin e hulumtimeve amerikane për COVID-19, u ekstradua në SHBA në fund të prillit nga Italia.
Një skenar të tillë e shmangu shtetasi kinez Cui Guanghai, pasi iku nga arresti shtëpiak në Beograd.
Ai ishte ndaluar me kërkesë të autoriteteve amerikane për shkak të akuzave për përndjekjen e një artisti kinez që jeton në SHBA.
Më vonë, në SHBA ai u akuzua edhe për tentativë kontrabandimi të pajisjeve ushtarake drejt Kinës.
Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), Kash Patel, e përmendi pikërisht Serbinë si një nga vendet që shtetasit kinezë, në vend se t’i ekstradojë në SHBA, i kthen në Kinë.
Gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan më 12 maj, Patel, duke shpjeguar vizitën në Milano, tha se atje në paraburgim ndodhej një kriminel i nivelit të lartë kibernetik i lidhur me Partinë Komuniste të Kinës.
“Arritëm të siguronim një marrëveshje që ai person të dëbohej nga Italia në vend që të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia”, tha ai.
Institucionet e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimin e shefit të FBI-së, Patel, të bërë në Kongresin amerikan.
Ndërkaq, Sërxhan Cvijiq nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ky është një sinjal shumë i keq për Serbinë.
Ai theksoi se, kur drejtori i FBI-së përmend një vend para Kongresit në kontekstin e Kinës, ekstradimeve dhe kërcënimeve të sigurisë, kjo “nuk është një shqetësim diplomatik kalimtar”.
“Kjo do të thotë se ai vend ka hyrë në diskursin amerikan të sigurisë si një aktor problematik”, vlerësoi ai.
Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mban raporte të ngushta dhe ka bashkëpunim politik, ekonomik dhe ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Kina është e angazhuar në projekte infrastrukturore në Serbi, merren kredi nga bankat kineze, ndërsa vitet e fundit Serbia ka intensifikuar blerjen e armëve kineze.
(Kosova Sot Online)
