Biserko: Serbia kontrollon votën e serbëve të Kosovës
Pa presionin nga Serbia, serbët e Kosovës me siguri do t’i artikulonin më mirë interesat e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se Lista Serbe para së gjithash përfaqëson interesat e regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Kështu deklaron kryetarja e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko në një intervistë.
Megjithatë mandati i Nenad Rashiqit, sipas saj, tregon se një pjesë e elektoratit serb nuk voton sipas udhëzimeve të Beogradit dhe se ekziston një mundësi reale që serbët në Kosovë t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre politikë. Në fund të fundit, mandati i Rashiqit dëshmon se dominimi i Beogradit nuk është absolut, thotë ajo.
“Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, në raportin për Kosovën të përgatitur nga Riho Terras, vlerësoi se Kosova ka humbur një vit të rëndësishëm për shkak të bllokadës politike, duke paralajmëruar se edhe muajt e ardhshëm mund të ndikohen nga procesi zgjedhor”.
Kryetarja e Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, për RTKLive thotë se ky vlerësim para së gjithash konfirmon shqetësimin e partnerëve evropianë për paralizën institucionale në Kosovë dhe ndikimin e saj në reformat, integrimin evropian dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.
“Bashkimi Evropian pret institucione funksionale që janë të afta të marrin vendime dhe të zbatojnë reforma, ndërsa ngërçi i zgjatur politik dërgon mesazh të kundërt. Është e vështirë të thuhet nëse thelbi i problemit me të cilin përballet shoqëria kosovare është vetëm qëndrimi personal i opozitës ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Edhe pse pa dyshim ekzistojnë tensione politike dhe një nivel i lartë mosbesimi ndërmjet Kurtit dhe liderëve opozitarë, sipas mendimit tim thelbi i mosmarrëveshjes është më i thellë”, thotë Sonja Biserko.
(Kosova Sot Online)
