
Lexoni edhe:
Paralajmëron analisti: Mund të ndodhë që LDK-ja në këto zgjedhje ta ketë një rezultat të papritur
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Praktika e ndikimit politik në prag të zgjedhjeve është e njohur edhe më parë. Janë të njohura drekat dhe darkat e Hashim Thaçit me kolektivet e ndryshme. Dhurimet e posteve që nga konsuj, ambasadorë e deri te ministrat e zëvendëskryeministrat! Megjithatë, nuk është zhurmuar kaq sa bëhet për abuzimet e Kurtit. Sepse mediat, sistemi i drejtësisë dhe gjithçka tjetër ishte kapur nga bandat e Hashimit, me "Pronto-n" e tij.
-Nuk ka kundërshti të madhe për t'i ndihmuar kategoritë në nevojë ekonomike. Por mënyra dhe koha e shpërndarjes së parave nga 100 euro për pensionistët, studentët aktivë, si dhe për fëmijët dhe lehonat në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, është e dyshimtë dhe përfituese politike.
Për këtë mënyrë të shpërndarjes së parave, zëshëm kanë reaguar Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, dhe organizata "Demokracia në Veprim". Ato e konsiderojnë këtë si shkelje të mundshme ligjore dhe shpërdorim të resurseve publike gjatë periudhës zgjedhore.
Këtë lloj shpërndarjeje Albin Kurti e ka bërë për të shtatën herë dhe e mbron si të drejtë. Por mendoj se do të ishte më mirë që këto dhurime periodike të shpërndaheshin çdo muaj, së bashku me pensionet apo rrogat që marrin.
Abdixhiku këto dhurime i quan të motivuara politikisht dhe me ndikim të drejtpërdrejtë politik, pothuajse blerje votash. Fushata e egër, e shoqëruar me fyerje, ofendime dhe kriza në vijimësi, tejkalon sjelljen e një fushate normale, duke dhunuar edhe popullin. Ndërkohë që vendi ka nevojë për një qasje tjetër qeverisëse, rritje të mirëqenies dhe zhvillim ekonomik.
Ai vazhdon duke thënë se Kosova ka nevojë "për një kapitull të ri" në qeverisje, me fokus në paga dinjitoze, investime dhe zhvillim afatgjatë.
Organizata joqeveritare "Demokracia në Veprim" ndarjen e parave në prag të zgjedhjeve e ka cilësuar jokorrekte, madje "shkelje ligjore", që ndikon në përfitimin për pushtet. Organizata në fjalë thekson se "legjislacioni zgjedhor ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë në vullnetin e votuesve, përfshirë buxhetin e shtetit, infrastrukturën dhe administratën publike gjatë fushatës zgjedhore".
Bujshmëria e dhurimit të parave, pikërisht në afrimin e procesit zgjedhor, nga kritikët llogaritet si një nga argumentet kryesore që sjellin, të cilat konsiderohen korrekte për çështjen në fjalë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".