Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar?!

Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar?!
  • 02 July 2016 - 08:06

Shkruan: Skënder Mulliqi

Shoqëria po rrezikohet të kriminalizohet

Skllavërimi i këtij populli po zgjat shumë

Nuk di së cilën të keqe ta përmend më parë, sa shumë të këqija e kanë goditur shtetin tonë të ri, shtetin të cilin nuk po e ndërtojmë mirë. Ata që e kanë marrë timonin, janë do grupe njerëzish që kanë bërë shtet për vete duke përjashtuar shumicën. Na është kriminalizuar politika aq shumë sa nuk di njeriu së cili nga qeveritarët apo nga parlamentarët nuk ka lidhje direkte ose tërthorazi me krimin. Na është bërë kaq shumë korrupsion dhe krim sa secilën ditë po harxhohemi moralisht, ekonomikisht dhe në secilën formë tjetër për t'i përballuar. Edhe mbarë shoqëria po rrezikohet të kriminalizohet. Nuk kemi së si t'i eliminojmë si tema krimin dhe korrupsionin, kur ata që ish-dashur t'i luftojnë këto dukuri e i kanë gjithë mekanizmat shtetërorë nuk po i luftojnë se janë bërë vetë pjesë e krimit dhe e korrupsionit. Deri më sot patëm shumë raporte ndërkombëtare, të cilat edhe shprehën shqetësimin për nivelin e lartë të krimit dhe të korrupsionit, por asnjë sugjerim, asnjë vërejtje nuk pati ndikim pozitiv në kastat që u ndërruan në pushtetet e pasluftës. Kosova e vogël ka një qeveri pak gjë më të vogël se Kina shumëmiliardëshe! Kësaj i thonë më shumë së turp. Po çfarë ekonomisti është Isa Mustafa kur në këtë krizë të madhe të përmasave globale formon apo riformatizon një qeveri aq mamuthe? Kjo vërejtje do të ishte e mirë, po të kishim kujt t'ia adresonim.

Punësimet e akrabave

Këta qëllimisht janë futur në këto lojëra politike për ta ruajtur kapitalin e tyre, për përfitime të reja nga tenderomania, nga zhvatja, nga uzurpimet e llojllojshme të pronës shoqërore, deri të punësimet e kucave dhe maceve. Po punësohen bijtë dhe bijat e deputetëve, të cilët jo vetëm që marrin edhe paga të tjera, por kanë edhe biznese. Faktorit ndërkombëtar i interesojmë si shtet dhe si komb aq sa ne interesohemi për të ardhmen tonë. Zgjedhjet do të vijnë një ditë, por kam drojën se prapë populli do të manipulohet nga manipulatorët, të cilët e kanë perfeksionuar mirë zanatin e mashtrimit. Institucionet e shtetit i kanë vënë në dy binarë: binari i interesit privat dhe binari i interesit klanor. Ajo që mungon është binari publik, të cilin shteti ynë prej 17 vjetësh e ka larguar nga binarët e hekurudhës kosovare. Aq shumë ngjarje dhe afera korruptive e të krimit patëm, sa vështirë njeriu edhe t'i mbajë në mend. Kur kemi deputetë që janë zhytur në krime apo i fshehin gjurmët e krimit, duke përdorur legjitimitetin e popullit, nuk mund të flasim për shtet ligjor dhe shtet demokratik. Organet më të larta të shtetit moti e kanë humbur legjitimitetin me punën e keqe të tyre.

Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar

Liderët e partive kryesore politike në Kosovë qofshin të majtë apo të djathë, e që nuk e dinë as vetë së çka janë, nuk e kanë dhënë provimin për të mirë. Në Kosovë nuk mungojnë njerëz më kredibilitet, njerëz me ideale, me moral politik, njerëz që mund të sakrifikohen për të bërë një shtet normal. Skllavërimi i këtij populli po zgjat shumë. Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar. Indiferenca do të thotë zgjatje e vuajtjeve dhe e mjerimit social. Mos të lejojmë krimi të na bëhet pjesë e jetës, por me punën tonë ta varrosim krimin…