Ish-presidenti i Sllovenisë, Pahor, e merr mandatin nga Lajçak me projekt platformë speciale për dialogun

Ish-presidenti i Sllovenisë, Pahor, e merr mandatin nga Lajçak me projekt platformë speciale për dialogun
Ish-presidenti i Sllovenisë, Pahor, e merr mandatin nga Lajçak me projekt platformë speciale për dialogun

Gani Qarri

  • 29 April 2024 - 22:01

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Paralajmërimi nga ish presidenti Slloven Borut Pahor, i një plani të ri dinamik për zhvillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, është një tregues që flet se ai edhe praktikisht do ta marr mandatin nga Mirosllav Lajcak, dhe se kjo çështje tanimë, është punë e kryer, kurse konsultat do të jenë vetëm akte të rëndomta procedurale dhe çështje thjeshtë formale, për pranim mandatesh nga BE! Së fundmi madje është raportuar se sh-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor është duke përgatitur edhe një draft-dokument të ri lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, andaj duke pasur parasysh se z. Pahor vjen nga një shtet që ndër të parët e ka njohur pavarësinë e Kosovë, është e pritshme që pas më tepër se 13 vitesh dialog të pa-barabartë e tejet monoton me Serbinë, përfundimisht të ndodhë, një kthesë më pozitive në këtë proces maratonik.

 

E pikërisht këtë angazhim praktik, Pahor e ka bërë me dije edhe në profilin e tij zyrtar në platformën X, ku ka shkruar se para se të fillojë me draftin për dialogun Kosovë-Serbi, paraprakisht ai dëshiron të koordinohet me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell, vendet anëtare të BE-së dhe shtetet e QUINT-it. Por megjithëse ish-presidenti Pahor është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut, lidhur me pyetjet që ai në vijimësi po merr, në pritje të rolit të tij si kandidat për të dërguarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, aktualisht ai nuk po i përgjigjet asnjë pyetjeje apo kërkese për intervistë deri në njoftimin e radhës…

 

Kjo për faktin e lartcekur se ish presidenti Borut Pahor fillimisht, dëshiron që ta koordinojë këtë çështje me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht me vendet e Quintit”, shkruhet në postimin e tij në platformën “X"! Pra krejt kjo, tregon se ai tanimë, ka marr sinjalin që të përgatitet për këtë mision sfidues të ndërmjetësimit mes Kosovës dhe Serbisë, mision i cili vjen në një kohë kur Sllovenia edhe në KS të OKB-s, përmes përfaqësuesit të saj Samuel Zhbogar, u pozicionua publikisht dhe shumë fuqishëm në favor të Kosovës. Për aq më tepër, z. Zhbogar ka përmendur edhe krimet e rënda të cilat Serbia i kishte kryer ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë, i cili siç u shpreh në KS të OKB-së, ai edhe vetë, i kishte parë dhe kishte qenë në përkujtimin e këtyre ngjarjeve të përgjakshme tragjike, gjithandej, gjatë mandatit të tij si përfaqësues i BE-së në Kosovë! Ndërsa siç dihet tanimë publikisht, për fatin e mirë të Kosovës, i dërguari i deritanishëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pro serbi Miroslav Lajçak përfundon mandatin në gusht të këtij viti, shkaku i animit të hapur të të cilit si dhe të vet Eskobarit dhe Josep Borellit, edhe diplomati slloven ditë më parë ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur.

 

Andaj nëse ai do ta zëvendësonte Miroslav Lajçakun në pozitën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, z. Pahor personalisht, do ta ofrojë edhe planin e tij për vazhdimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi të stërzgjatur, i cili tanimë po kalon nëpër vitin e tretë të dekadës së dytë, prej se ka filluar, atëbotë i kamufluar si dialog “teknik”. Madje ish presidenti slloven, Borut Pahor ka thënë qartë dhe zëshëm, se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur pikërisht për shkak të mungesës së besimit, që nënkupton edhe pozicionimin, jo neutral të ndërmjetësuesve ndërkombëtar, që vazhdimisht, ka shkuar në dëm të Kosovës dhe favor të Serbisë hegjemoniste, përkundër të gjitha krimeve dhe gjenocidit që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, e cila edhe 25 vite pas çlirimit të Kosovës, atëherë e sot mban peng, trupat e mbi 1639 shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".