Turqia e Erdoganit është mburoja e Ballkanit nga terrorizmi ekspansionist islamik

Turqia e Erdoganit është mburoja e Ballkanit nga terrorizmi ekspansionist islamik
  • 04 December 2016 - 08:06

Shkruan: Mehfi Hyseni 

Të gjithë ato shtete, që dëshirojmë qetësinë, stabilitetin, paqen, bashkëpunimin dhe integrimin e Ballkanit, njëkohësisht duhet ta mbështesin edhe stabilitetin, rendin, drejtësinë dhe kushtetutën në fuqi të Turqisë së drejtuar nga presidenti Taip Rexhep Erdogan, i cili ka meritat kryesore për mospenetrimin e terrorizmit islamik në Ballkan. Këtë mision strategjik dhe rol të rëndë- sishëm konstruktiv të Turqisë për ruajtjen e paqes dhe të ekuilibrit të marrëdhënieve të vendeve ballkanike, hëpërhë më së miri e ka perceptuar dhe kuptuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në momentin më kritik për Turqinë e rrezikuar nga terrorizmi puçist islamik, u shpreh "Happy for the brotherly Turkish people and our valuable friend, President Erdogan for going out - with full success - from a very difficult night ". Duke qenë se Turqia është anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) dhe partner i shumëfishtë strategjik i Amerikës (1955-2016), si Amerika, ashtu edhe NATO-ja e kanë për detyrë që Turqinë ta marrin në mbrojtje nga çdo rrezik, qoftë i brendshëm apo i jashtëm, në mënyrë që Ballkani të mos shndërrohej në Irak, në Siri, apo në një Afganistan të dytë, ku do të mbytej në pellgjet e përgjakshme të kamikazëve të terroristëve të ISIS-it, të 'Al Kaidës'… etj., nëse do vinte në shprehje destabilizimi i saj, sepse kjo është mburoja kryesore, që pengon përhapjen e terrorizmit islamik jo vetëm në Turqi, por edhe në mbarë Ballkanin. Këtë rrezik potencial duhet mbajtur parasysh jo vetëm shtetet ballkanike, por, para së gjithash, shtetet e Bashkimit Evropian (BE).

Rama, vizionar i Ballkanit Nga shtetarët ballkanikë vetëm kryeministri shqiptar, Edi Rama, e kuptoi drejt përmbysjen e puçit terrorist të 15 korrikut 2016, ku si rrjedhim edhe e përgëzoi presidentin e Turqisë, Taip Rexhep Erdogan, me rastin e fitores së tij ndaj armiqve të Turqisë, duke pohuar kështu "I lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar, presidentin Erdogan, për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë". (http://www.almakos.com/rama-i-lumtur-per-popullin-vella-turk-dhe-presidentin-erdogan ). -Shqiptarët në Ballkan duhet të mbajnë parasysh faktin se Amerika nuk e sakrifikon Turqinë për asnjë interes të Ballkanit, sepse ajo është partner i trefishtë strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s (1955-2016). Prandaj, kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri mirë që u tregua largpamës, duke mbështetur fitoren e popullit dhe të Erdoganit mbi puçin terrorist ushtarak islamist. Kjo mbështetje e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, shprehur në frymën solidarizuese justifikon përmbajtjen e filozofisë politike: sa më shumë miq, mirëkuptim, bashkëpunim reciprok, paqe të qëndrueshme, jo sa më shumë armiq. Nuk është politikë, as diplomaci ajo, nëse në të njëjtën kohë krijon dhe konfrontohet me disa armiq, sepse disfatën e ka të garantuar dhe të pashmangshme. 

Vetëm mbështetësit e puçistëve - armiqtë e Turqisë, Erdoganin e quajnë "diktator"! Presidentin turk, Taip R. Erdogan, puçistët dhe mbështetësit e kritikojnë, sepse nuk arritën, që ta përmbysnin pushtetin e tij, me rastin e grusht shtetit të 15 korrikut të vitit 2016. Mirëpo, kryeministri shqiptar, Edi Rama, me të drejtë përshëndeti qëndresën dhe triumfin e rezistencës së popullit dhe të shtetit turk të Erdoganit, që shpartalluan bandat terroriste të puçit të 15 korrikut 2016, të cilat kishin për qëllim të fundit sirianizimin e Turqisë sipas skenarit të "pranverës arabe". Nuk duhet humbur në mjegullat e dendura të terroristëve islamikë të puçizmit kundër Erdoganit, sepse ata si disfatistë "kanë të drejtë" ta kritikojnë dhe ta quajnë atë "diktator", mbase u ka mbetur "arra në fyt" duke qenë se presidenti Erdogan së bashku me pushtetin e tij kishin mbështetjen morale, politike dhe të gjithmbarshme në mbrojtjen e rendit dhe të Kushtetutës së Turqisë, të cilën e shpëtuan nga libianizimi, sirianizimi, irakianizimi dhe afganistanianizimi terrorist islamik. Për fatin e Turqisë dhe të gjithë Ballkanit, një puç i tillë dështoi, sepse kishte një strategji të gabuar të "pranverës arabe" (si rrjedhim i mosnjohjes së faktorit të psikologjisë politike dhe të historisë mijëravjeçare të Turqisë), e cila nuk "ndezi" në Turqi për shkak se llogaria ishte plotësisht e gabuar ngaqë turqit nuk ishin arabë, por një popull krejtësisht tjetër dhe një shtet tjetër me interesa të ndryshme nga ato të vendeve arabe, edhe pse kanë një religjion të përbashkët, Turqia është shtet sekular jo islamik. Kështu që interesat e saj nacionale dhe shtetërore kurrë nuk i ka sakrifikuar për ndonjë interes të shteteve arabe dhe të shteteve islamike në botë.

Sirianizimi i Turqisë do ta digjte Ballkanin -Jo vetëm Turqia, Ballkani, por edhe e gjithë Evropa, do të duhej ta falënderonin, ta shpërblenin dhe t'i shprehnin mirënjohje presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, që mposhti puçin ushtarak terrorist të 15 korrikut 2016, sepse po të ndodhte e kundërta, sot Turqia dhe Ballkani, do të ndodheshin në flakën dhe në zjarrin e Alepos së Sirisë, të Mosulit të Irakut dhe të talebanëve të Afganistanit, ku do të marshonin bandat terroriste të ISIS-it, të 'Al Kaidës' etj., si dhe eskadrone mercenarësh dhe vrastarësh nga shumë vende të botës. S'ka dyshim se krijimi i një gjendjeje të tillë do ta destabilizonte edhe Bashkimin Evropian (BE-në) me të gjitha investimet, agjendat dhe projektet e parashikuara për integrimin e Ballkanit në kuadrin e strategjisë së tij afatgjatë. Gjithashtu, një kaos i tillë "sirianoirakian" do të ndikonte negativisht edhe në strategjinë e zgjerimit të paktit NATO në Ballkan dhe në Evropën Lindore, si dhe do të dëmtonin interesat strategjike të Amerikës në Ballkan.

Ndikimet te shqiptarët dhe Ballkani nga një krizë eventuale Pra, "piunët" e tabelesë së shahut ballkanik (në veçanti shqiptarët) duhet të mbajnë parasysh rrezikun e madh se çdo destabilizim i Turqisë do ta digjte edhe Ballkanin, ashtu sikurse që po ndodh me Sirinë e shkatërruar ngase në të do të përfshiheshin (ushtarakisht, politikisht, diplomatikisht) Rusia, Kina dhe aleatët e tyre, ashtu sikurse në Siri, me qëllim të fundit që t'i detyronin Amerikën dhe NATO-n të braktisnin Ballkanin si sferë të interesit të tyre gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Ky do të ishte epilogu tragjik i Ballkanit, ku më së keqi dhe më së shumti do të pësonin shqiptarët, duke ngelur edhe më tej nën çizmen e tiranisë së kolonializmit ruso-sllav shekullor (1878-…). Të gjithë ballkanasit duhet të jenë dijeni se Turqia e Erdoganit nuk e rrezikon Ballkanin, por eksportuesit e terrorizmit, të drogës, të trafikimit të qenieve njerëzore, të mafive të ndryshme dhe të radikalizmit islamik (salafizmin, vahabizmin etj.) nga Lindja e Afërt, e Mesme dhe e Largët etj. Prandaj, politika dhe diplomacia e Kosovës duhet të jenë largpamëse, ngaqë ende është në luftë të hapur me Serbinë kolonialiste dhe me Rusinë imperialiste, që nuk po e njohin Kosovën e pavarur. Këtë e provon edhe statusi i Kosovës Veriore (për shkak të "Trepçës"), si dhe statusi kolonial i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës nën Serbi), kur është fjala për bashkëpunimin gjithëpërfshirës me Turqinë, sepse kjo është një nga partnerët më të rëndësishëm politikë, strategjikë dhe ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Për më tepër një partnerizëm të këtillë, Amerika nuk e sakrifikon për hir të ndonjë urrejtje individuale a grupore patologjike të eksponentëve dhe të ekstremistëve me prirje antiturke në Ballkan. Sa më sipër shqiptarët në Ballkan duhet të jenë syçelë, që të mos "fërkohen" në çështjet e brendshme të Turqisë, duke u rreshtuar sipas interesave politike partiake opozitë-pozitë, sepse mosmarrëveshjet dhe konfrontimi i tyre nuk janë çështje e Kosovës, as e Shqipërisë, por vetëm e Turqisë.

(Kosova Sot)