Lamtumirë, bac` Ramiz Kelmendi!

Lamtumirë, bac` Ramiz Kelmendi!
  • 13 January 2017 - 08:09

Shkruan: Haki Bunjaku

Unë jam frymëzuar me shkrimet e tij që nga 1960-ta e këndej, kur edhe "Rilindja" me humoreskat plot freski, i jepte gjallëri. Ne, para shujtës së mëngjesit e blinim "Rilindjen" se për ndryshe mbeteshe pa të. Kur mungonte literatura, ai boton novelat "Vija e Vrragë" në të cilat emocionalisht na përvetëson me "Rrëfimin e Studenteshës", në kohë të okupimit dhe me peripecitë e saj nga gardianët, për ta parë babanë e burgosur. Botohen në vazhdimësi fragmente nga romani: "Kur kositen livadhet", i cili nuk u krye kurrë dhe ato livadhe presin kosën si hale të rugovasve. Jehonë të madhe i dhanë humoreskat: "Letra nga Ulqini", të cilat u botuan në vazhdime në "Rilindje" dhe më në fund libër i veçantë. Me ëndje e vazhdon humorin te "Abrrakadabr.

Kontributi i paçmuar në publicistikë Njihet për humorin e ngjeshur, që shkruante humoreska për Radio Prishtinën dhe tekste për humoristët tanë, që i interpretonin me sukses. Vjen pastaj vepra prozaike me titull provokativ: "Shtatë persona ndjekin autorin". A thua iku nga ndjekja e tyre, apo pati tjetër hall? Si profesor dhe drejtues i shkollës së gazetarisë, ua mësoi studentëve gazetarinë e mirëfilltë. Ishte shkrimtar i pasionuar dhe penën e ushtroi në disa aspekte, si dhe në publicistikë dhe kudo e kurdo me shumë sukses. Ka pesë-gjashtë vjet që vdekjen e ka bartur mbi supe. Në një intervistë tha:-Jam plakur dhe tash blej vetëm një apo dy libra, se ndoshta koha nuk më mjafton për lexim. Nëse i lexoj këto, pastaj blej kështu të tjera. Sa tërheqëse kanë qenë shkrimet e bacë Ramizit, për të cilat lexuesi ka rezervuar kohë që t`i lexojë. Bile humoreskat e tij imitoheshin gojë më gojë nga studentët, gati si dikur "Lahutën e Malësisë". Prof. Ramiz Kelmendi më parë ka poseduar kulturë letrare e kulturë njerëzore. Prandaj, si i tillë ka qenë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Një njeri i tillë nuk mund të përsëritet, por le të na shërbejnë veprat e tij si ngushëllim!

(Kosova Sot)