Tërheqja e Trump-it nga Siria

Tërheqja e Trump-it nga Siria
  • 26 December 2018 - 08:16

Shkruan: James Dobbins

Disa nga fqinjët e Sirisë, veçanërisht Izraeli dhe Iraku, do të ndikohen negativisht

Me ardhjen e një kongresi të ri në janar, politika e brendshme amerikane ka gjasa të bëhet edhe më e trazuar. Nëse kjo trazirë bartet në fushën e sigurisë kombëtare, atëherë na pret një 'udhëtim' i vështirë

Tërheqja e planifikuar e trupave amerikane nga Siria, sipas planit të presidentit Donald Trump, veprim që çoi deri te dorëheqja e sekretarit të mbrojtjes, Jim Mattis, ishte një vendim i drejtë, i marrë në mënyrë të gabuar dhe në kohë të gabuar. Nëse nuk modifikohet, ai mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Ushtria amerikane ka qenë e tej-pranishme në Lindjen e Mesme që nga viti 2003. Pushtimi i Irakut ishte një gabim strategjik i rendit të parë, ndoshta më i shtrenjti në historinë amerikane. Që nga viti 2008, së pari Barack Obama dhe tani Trump kanë kërkuar të fillojnë nxjerrjen nga Shtetet e Bashkuara nga disa prej këtyre angazhimeve. Obama njoftoi një bosht në Azi dhe një përqendrim të ri në sfidën në rritje kineze. Strategjia e sigurisë kombëtare e administratës Trump, e shpallur vitin e kaluar, e zgjeroi këtë ribalancim në mënyrë që t'u japë përparësi kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës. Në fakt planifikimi i këtyre ndërrimeve është dëshmuar të jetë e vështirë. Vendet si Iraku, Siria dhe Afganistani janë "ngjitëse". Ato nuk quhen së koti 'baltë e gjallë'. Janë bërë zotime, janë ndërmarrë obligime, janë ofruar premtime solemne, koalicionet e ndërtuara, partnerët vendorë janë rekrutuar. Dhe çdo gjë që rezulton mbështetet në besimin dhe besueshmërinë e mirë të Shteteve të Bashkuara.

Debakël i keq

Në vitin 2011, Obama 'tërhoqi prizën' ndaj pranisë ushtarake amerikane në Irak. Ai në këtë mënyrë braktisi milicitë fisnore sunite që kishin ndihmuar forcat amerikane të mposhtnin AlKaidën dhe la të mbijetuarit në Siri në mëshirën e një qeverie të korruptuar të mbizotëruar nga shiitët. Në vitin 2014, kur mbetjet e Al- Kaedës, tani të riorganizuara si Shtet Islamik, dolën jashtë Sirisë, asgjë nuk dukej të qëndronte midis tyre dhe Bagdadit. Vetëm përpjekjet e kombinuara të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit lejuan që qeveria irakiane të mbajë kryeqytetin dhe përfundimisht të rimarrë pjesën tjetër të territorit të saj. Dëshira e Trump-it për t'u tërhequr nga Siria është në përputhje me strategjitë kombëtare të paraardhësit të tij, por mënyra në të cilën është marrë vendimi është shumë kundërproduktive. Befasia si një mjet për të hedhur kundërshtarët jashtë bilancit mund të jetë e dobishme, por ky vendim ka vetëm shpartalluar miqtë e Amerikës. Shtetet e Bashkuara udhëheqin një koalicion ushtarak shumë-kombëtar në Siri, asnjëri prej të cilëve nuk u konsultua. Disa nga fqinjët e Sirisë, veçanërisht Izraeli dhe Iraku, do të ndikohen negativisht. Ndikimi më i menjëhershëm do të jetë te partnerët e Amerikës në terren, milicitë e dominuara nga kurdët që kanë bërë shumicën e luftimeve dhe viktimave në fushatën e suksesshme dhe të vazhdueshme kundër Shtetit Islamik. Kushtet minimale për tërheqjen nga Siria në përputhje me nderin dhe kredibilitetin e Amerikës janë të ndihmojnë aleatët kurdë të negociojnë një marrëveshje me regjimin e Damaskut (dhe me Turqinë) që u jep atyre një farë autonomie politike dhe u lejon të vazhdojnë të sigurojnë popullsinë dhe të shtypin Shtetin Islamik në lindje të vendit. Thjesht, largimi nga vendi dhe lejimi i këtyre partnerëve të mëparshëm që të shtypen midis dy forcave armiqësore do të ishte debakli më i keq për Shtetet e Bashkuara që nga rënia e Vietnamit të Jugut. Megjithatë, zyrtarët amerikanë, që veprojnë mbi supozimin se forcat amerikane do të mbeteshin për një kohë më të gjatë, i kanë penguar kurdët të kërkojnë një marrëveshje të tillë me regjimin në Damask.

Dobësimi i negociatorëve

Një tjetër viktimë kolaterale e këtij vendimi ka të ngjarë të jenë negociatat e paqes rreth Afganistanit. Zyrtarët amerikanë janë aktualisht në bisedime me talebanët për përfundimin e asaj lufte, një dialog brenda-afgan që çon në përfshirjen e talebanëve në një qeveri të zgjeruar kombëtare dhe tërheqjen e forcave amerikane dhe të NATO-s. Vendimi i Trump-it mbi Sirinë dhe dëshira e tij për të filluar tërheqjen e trupave nga Afganistani, do të dobësojë negociatorët e qeverisë amerikane dhe afgane, duke iu dhënë talebanëve çdo nxitje për të pritur një lëvizje të krahasueshme nga presidenti i SHBA-së në Afganistan. Pavarësisht nga mungesa e përvojës së tij, Trump ka shmangur deri tani llojet e gabimeve ushtarake që në dritën e historisë kanë dëmtuar performancën e shumë prej paraardhësve të tij - në rastin e Gjirit të Derrave të presidentit John F. Kennedy, shkallëzimi i Lyndon Johnson-it pas Gjirit të Tonkinit në Vietnam, Beteja "Black Hawk Down" e Bill Clinton-it në Somali, pushtimi i Irakut nga George W. Bush dhe tërheqja e Obama-s nga Iraku në vitin 2011. Kjo mund të jetë gati të ndryshojë. Bob Corker, kryetari republikan i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ka pohuar se vendimi i Trump-it për tërheqje nga Siria është bërë për qëllime politike. Nëse është e vërtetë, kjo nuk do të ishte hera e parë për këtë apo për ndonjë president tjetër. Por natyra me sa duket impulsive e këtij vendimi, pa marrë parasysh pasojat e dukshme, të pakoordinuara me aleatët apo edhe midis agjencive përkatëse të SHBA-së, duhet të jetë shkak për alarm. Me ardhjen e një kongresi të ri në janar, politika e brendshme amerikane ka gjasa të bëhet edhe më e trazuar. Nëse kjo trazirë bartet në fushën e sigurisë kombëtare, atëherë na pret një 'udhëtim' i vështirë.

 

(Kosova Sot)