Dy atllarë me një hu nuk shkon, thotë populli

Dy atllarë me një hu nuk shkon, thotë populli
  • 09 October 2015 - 11:05

Shkruan: Ragip Guraziu

Seanca për faqe të zezë

Kjo ndodh kur e kemi një kryeparlamentar jostabil si Kadri Veseli

Seanca e Kuvendit, kjo e së enjtes, duhet të harrohet njëherë e përgjithmonë, por si të harrohet kur e panë e gjithë bota, marifetllëqet e pista, si nga opozita po se po, por edhe pozita i priu sadopak kësaj kauze, sidomos kryeparlamentari Kadri Vesali, i cili po mundohet, siç thotë populli, kokën te burri, e prapanicën te jarani. Kësisoj kishte menduar edhe ish- kryeparlamentari Jakup Kasniqi, të hajë me dy lugë, por nuk ia doli dhe përfundoi në opozitë. Tani e kuptueshme për autorin e këtij shkrimi se me të vërtetë kryeparlamentari Kadri Veseli, këtë ngjarje të opozitës e komentoi, pasi opozita përdorte pipat në Kuvendin e Republikë së Kosovë, se u krijua këtu në Kuvend, Elbasan Arena, para se të krijohet ajo e vërteta. Ky pra ishte një humor i kryeparlamentarit Veseli, i pazakontë dhe jo në momentin e duhur, kur ne të gjithë ishim në siklet para ekraneve tona se çka po ndodh dhe ndodhi ajo edhe që e dinim se do të ndodhë kur e kemi një kryeparlamentar jostabil si Veseli. Analistët e parashikuan këtë pa filluar seanca e Kuvendit Blerim Burjani tha se ky spektër politik jokredibil duhet të ''përshëndetet'' nga jeta institucionale dhe duhet gjetur alternativë e re qytetare në mesin e këtyre partive që ka shteti, vetëm ky mund të jetë epilogu i këtyre anarkive. Fisnik Korenica tha se në Kosovë nuk është gjë e panjohur qeveria me mungesë kredibiliteti, dhe ky është kursi që kryeministri Mustafa nuk e ka problem për ta ndjekur. Ndryshe, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka thënë se Kosova gëzon mbështetjen e fuqishme të deputetëve të Parlamentit Evropian dhe vuri në dukje se zhvillimi ekonomik mbetet sfidë për rajonin dhe më gjerë, por dha porosinë tani ''harrojeni liberalizimin e vizave"?!

Ethet e Qeverisë

Duke e parë se opozita e ka futur në xhep tërë qeverinë, besa edhe Kuvendin, u pa edhe në seancën e së të enjtes, se në çfarë kushte u zhvillua votimi. Mbetet për të menduar se çka i duhet tjetër kësaj Qeverie dhe Kuvendit, përveçse të shkojë në shtëpi se nuk ka kredibilitet më as Qeveria, as Parlamenti e as deputetët e Parlamentit si të pozitës, po ashtu edhe opozitës. Presidentja Atifete Jahjaga, me siguri po e di që nuk e ka kredibilitetin e qytetarëve, pasi dihet si ka ardhur në këtë post dhe po struket diku. Opozita ka 1000 e njëqind arsyeje për të protestuar ndryshe e kjo si qe kjo e seancës së fundit e Kuvendit u bë një marre që s'e mbulon turpi që e pa e gjithë bota e civilizuar, se edhe në këto çaste në mesin e deputetëve gjenin kohë për humor! Thotë populli, kafsha edhe po atë ditë kur veç pritet therja e saj, ajo përtypet dhe shtiret se nuk do të ndodhë gjë me të. Ne te gjithë kemi qenë në dijeni se edhe kjo seancë e Kuvendit do të dështojë, por në çfarë forme përfundoi e pamë të gjithë.

Gjuha parlamentare...

Kam lexuar diku se jemi i vetmi komb në rajon dhe në Evropë që gjuhën tonë nuk e mbrojmë me ligj të posaçëm. Shi për këtë, për fillimin e bërjes së ligjit nga ligjvënësit, e paska rikthyer përplasja e albanologëve tanë lidhur me nevojën e pasjes së një ligji të tillë. Kishte shkuar një prind në shkollën e fshatit të tij, për ta kuptuar se me cilin rezultat notues kalon fëmija i tij. Kur kujdestari i klasës së fëmijës së tij i kumtoi rezultatin se nxënësi në fjalë ka një të dobët, prindi ngrihet brof në këmbë dhe pyet kujdestarin, në cilën lëndë ka këtë të dobët, kujdestari u përgjigj në gjuhen shqipe! Prini foli "bre unë i folsha shqip e ai nuk marrke vesh", filluan të gjithë të qeshin në klasë. E kur ne do të mësohemi të kuptojmë shqip dhe të flasim shqip?!