Goditjet e Gjykatës Speciale përçajnë skenën politike, prodhojnë krizë institucionale

Goditjet e Gjykatës Speciale përçajnë skenën politike, prodhojnë krizë institucionale

Gani Qarri

  • 14 November 2020 - 14:04

Shkruan: Gani Qarri

Për aq më tepër, shtjellimi i akuzave të konfirmuara gjatë procesit gjyqësor në Hagë kundër Hashim Thaçit & CO mund të çojnë shpejtë në acarimin edhe më të ashpër të gjendjes ndërmjet PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur dihet mirëfilli se lënda e padisë së ngritur penale kundër Hashim Thaçit, përmban çështje të ndjeshme të cilat mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjet dhe dhunën politike, të ushtruara ndaj ish figurave të njohura të LDK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë nga ai vet dhe zyrtarët tjerë të lartë dhe me ndikim të PDK-së, kështu që përpjekja e PDK-së për ti ikur përgjegjësisë që e kanë pjesëtarët e saj të involvuar në krime dhe ish deputetët e këtij subjekti politik që votuan për formimin e kësaj gjykate një etnike, si Gjykata Speciale, është pothuajse tërësisht e kotë.

-Sipas një raporti të Këshillit të Europës, të konfirmuar qysh në vitin 2014 nga Task Forca Speciale Investiguese e BE-së, një numër i anëtarëve të PDK-së dhe ish pjesëtarë të UÇK-së dyshohet se janë të përfshirë në vrasje, rrëmbime, arrestime të paligjshme, tortura dhe persekutime, ndaj pikërisht akuzat e sapo ngritura dhe të konfirmuara nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, pritet të nxitin jo vetëm thirrje për shuarjen e kësaj qeverie minore dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, por të prodhojnë edhe përçarje të thella ndërpartiake në skenën e përgjithshme politike aktuale në vend, sidomos ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, vetëm pse në shënjestër të aktakuzave janë përfshirë kryetari aktual dhe ish udhëheqësi më i lartë nga Partia Demokratike e Kosovës, ish kryetari i SHIK-ut, Kadri Veseli dhe kuislingu Hahim Thaçi.

Vendimi i PDK-s që për shkak të fillimit të procesit në Gjykatën Speciale ndaj figurave kryesore nga ky subjekt politik, të pezullohet pjesëmarrja në punën e Komisioneve dhe Kuvendit të Kosovës, është shumë joserioz dhe tejet kontraproduktiv, i cili i kontribuon akoma më shumë thellimit të krizës institucionale dhe procesit të vendimmarrjes në situatën e rënduar me pandeminë globale të koronavirusit në Kosovë dhe shkon apriori në drejtim të skenarëve të përmendur. Në vend se të lejohet që drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike, veprimi më i ri i PDK-së, është edhe një gabim tjetër i madh i kësaj partie në raport me interesin e vendit, kur dihet nga të gjithë fakti, se Gjykata speciale nuk është formuar dhe votuar jashtë vullnetit të këtij subjekti politik, por ishte vetë Hashim Thaçi në krye të qeverisë, që inkurajoi formimin e kësaj Gjykate dhe kritikonte në vijimësi kundërshtarët që bënin thirrje për të mos e votuar, ose amendamentuar Ligjin që të përfshihen edhe krimet serbe, duke besuar se ai personalisht nuk do të prekej nga aktakuzat që pritej të ngriteshin nga Specialja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".