Vetëm dekriminalizimi i plotë i mafio-politikës dhe drejtësisë së kapur, kthen besimin qytetar!

Vetëm dekriminalizimi i plotë i mafio-politikës dhe drejtësisë së kapur, kthen besimin qytetar!

Gani Qarri

  • 05 April 2021 - 07:35

Shkruan: ANALIST-Gani Qarri

Në mënyrë që Qeveria e re, ta kthej besimin publik të qytetarëve në funksionimin normal të institucioneve të vendit dhe ato të rendit e ligjit, si dhe shtetit të së drejtës, duhet ta pengojë zgjedhjen e figurave të dyshimta, të inkriminuara në korrupsion e krim të organizuar, si dhe të dënuar, apo në procedura penale gjyqësore, për zgjedhje në organet e shtetit, si dhe atyre të administratës publike, duke mos hezituar ta bëjë edhe largimin urgjent nga funksioni publik të të gjithë atyre personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa penalizuese për kryerjen të krimeve, dhe veprimeve tjera kundërligjore.

Me ligjin për ndalimin e personave të inkriminuar, për t’u zgjedhur në funksione të larta shtetërore e publike, ata jo vetëm që nuk mund të zgjidhen, por nuk kanë të drejtë as të kandidojnë për pozita në institucionet shtetërore dhe as për deputetë në Kuvend, si dhe as të marrin ndonjë funksion entesh e institucionesh, që nga komunat e deri në kryeministri, veçanërisht personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme që përbëjnë vepër penale.

Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit të shtetit, institucioneve të qeverisjes vendore, ligjit e kushtetutës si dhe vet Kuvendit të Kosovës si organi më i lartë legjislativ i vendit, organeve të rendit publik, sistemit shtetëror ekonomik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër të vendit, nga ndikimi i personave dhe grupeve të inkriminuara në politikë bërje, të cilët janë nën ndjekje, ndërmarrë masa sigurie ndaj tyre, apo edhe janë dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, për kryerjen e krimeve, dhe akteve tjera të pa ligjshme.

Ndaj në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, është bërë tejet i domosdoshëm dhe emergjent miratimi sa më parë i Ligjit për dekriminalizimin e plotë dhe pastrimin rrënjësor të figurës së zyrtarëve shtetëror, përfaqësuesve te institucioneve të shtetit, dhe atyre publik, duke filluar nga politika, postet politike, e deri në të gjitha nivelit e administratës publike, që personat me të kaluar kriminale, përfundimisht ta kenë të ndaluar të zgjidhen dhe emërohen në poste dhe pozita shtetërore, të të gjitha niveleve.

Kjo për vet faktin se njerëzit e tillë në pushtet, siç ka dëshmuar edhe përvoja mbi 21 vjeçare, e shtrijnë shpejtë ndikimin edhe në procesin vendimmarrës në kuvend e qeveri, duke implikuar interesin kriminal në bërjen e ligjeve sipas direktivave të grupeve kriminale të interesit, për tu dhënë dykuptimësi, lënë zbrazësi dhe me këtë edhe krijuar pamundësi për zbatimin e ligjit, prej nga përfitojnë kryesisht grupet mafioze dhe klanet e krimit të organizuar të lidhura ngushtë, tash e mbi dy dekada me mafio-politikën dhe rrjetet e nëntokës kriminale në vend.

Për aq më tepër, pikërisht Ligji për dekriminalizimin do ti jepte fund edhe një praktike të tillë të keqe, të mos funksionimit të shtetit dhe ligjit në Kosovë, e që janë pasojë e drejtpërdrejtë e fenomenit të tillë të delegimit të njerëzve me të kaluar kriminale në poste të larta, të vendosur edhe në krye të institucioneve kyçe të shtetit, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk kanë bërë asgjë tjetër përveç mbrojtjes së interesave të bosëve të krimit, përmes keqpërdorimit të hapur të ligjeve të vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".