Tema e parë në dialog me Serbinë, krimet, pengjet dhe dëmet e luftës!

Tema e parë në dialog me Serbinë, krimet, pengjet dhe dëmet e luftës!

Gani Qarri

  • 01 May 2021 - 09:09

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Duke pasur parasysh faktin se çështja e gjenocidit dhe krimeve të luftës, të shkaktuara nga okupatorët serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, si dhe mbajtja peng nga Serbia, tash e gati 22 vite pas përfundimit të luftës e mbi 1647 trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, për të cilët ende nuk dihet asgjë, që ka mbetur plagë e pashëruar asnjëherë dhe tema më e dhembshme e cila për më tepër se dy dekada, nuk u trajtua kurrë dhe bënë të vuajnë, jo vetëm familjet e viktimave por të gjithë shqiptarët, çështja e parë e cila duhet të vihet në tryezën e bisedimeve me të rifilluar dialogu, është çështja e trupave të pakthyer që ende mbahen peng nga Serbia, si dhe ajo e gjenocidit dhe krimeve të luftës, të shkaktuara nga Serbia gjatë viteve të okupimit të Kosovës nga ky vend agresor dhe hegjemonist.

Çështja e krimeve të luftës, të pagjeturit dhe marrjes peng të vrarë e të masakruar, është një çështje e cila qysh nga paslufta e këndej, jo vetëm që i mundon të gjithë shqiptarët pa dallim, por nuk ka as nuk guxon të ketë përkatësi partiake dhe ngjyrime politike kur është fjala për ta nxjerr kusht në dialog me Serbinë, e cila megjithëse ishte plaga më e dhembshme, me qëllim u anashkalua dhe injorua, për rreth 10 vite me radhë nga kuislingu Thaçi dhe të gjitha përbërjet e kaluara të ish-qeverisjeve dhe të pjesëmarrësve të caktuar nga ai, në delegacionet për bisedime me shtetin okupator serb.

Dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, për më tepër se 21 vite, me urdhër të vet renegatit Hashim Thaçi, as prokuroria dhe gjykatat e shtetit, nuk guxuan të merren me këtë çështje kaq tragjike, duke hedhur poshtë të gjitha paditë e shqiptarëve, qofshin ato edhe private të ngritura kundër kriminelëve serbë dhe urdhëruar familjarët e të vrarëve dhe të kidnapuarve nga skuadronet gjenocidiale okupuese serbe, që edhe paditë kundër tyre, tu drejtoheshin gjykatave në Serbi, sikur Kosova edhe dy dekada pas çlirimit, të ndodhej në pushtimin e Serbisë, gjë që nuk di ta bëjë kush kundër vendit dhe popullit të vet, përveç tradhtarëve të shitur.

Ndaj pas deklaratave publike të kryeministrit, Presidentes e Kryeparlamentarit si dhe segmenteve tjera udhëheqëse shtetërore, se çështja e të kidnapuarve, krimit dhe gjenocidit serb në Kosovë, do të kenë prioritet në rifillimin e dialogut, krerët aktual të shtetit, në kundërshtim me aktet antishqiptare të kuislingut Thaçi, duhet ta mbajnë fjalën e dhënë, dhe si pikë e parë në Platformën për fillimin e dialogut me Serbinë, duhet të vendoset pikërisht tema më e dhimbshme që tash e mbi dy dekada mundon të gjithë qytetarët e Kosovës, siç është çështja e mijëra trupave të pakthyer, gjenocidi dhe krimeve serbe të shkaktuara nga Serbia okupatore gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kjo çështje e rëndë dhe plagë e hapur, është dhe mbetet aktuale tash e deri në ditën e zbardhjes përfundimtare të fatit të të gjithë të pa gjeturve, kthimit të viktimave të luftës, familjeve të tyre që të kenë një varr ku mund ti kujtojnë në atdhe, të cilat edhe mbi 22 vite pas përfundimit të luftës, ende mbahen të fshehura në varrezat masive të shpërndara nëpër Serbi, si dhe fillimit të proceseve gjyqësore kundër kriminelëve serb të cilët në mënyrë të organizuar shtetërore shkaktuan gjenocid të paparë, vranë e masakruan mijëra shqiptar të pafajshëm dhe dëbuan mbi një milion sosh nga vatrat dhe shtëpitë e tyre.

Dhe zotimin që krerët e shtetit bënë, me rastin e shënimit të ditës së të pa gjeturve, se nuk do të ketë pajtim as marrëveshje me Serbinë pa u zbardhur fati i viktimave të luftës dhe pranuar përgjegjësia për krimet e gjenocidin dhe këtë plagë të madhe shkaktuar shqiptarëve në vatrat e tyre, nga Serbia okupatore, duhet ta mbajnë dhe qojnë deri në fund, sepse tanimë kanë kaluar më tepër se dy dekada qysh kur nëpër të gjitha tubim përkujtimore të përvjetorëve të masakrave dhe gjenocidit serb, janë bërë zotime të ngjashme, por fatkeqësisht deri në këtë mandat qeverisës, të gjitha mbetën vetëm deklarime paushallë, të llojit më të turpshëm zhgënjyes, vetëm sa për të nxehur atmosferën për përfitim të votave, nëpër fushata elektorale.

Ndaj i gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, medoemos duhet të arrij konsensusin e domosdoshëm politik, që këtë dhembje të madhe dhe plagë ende të pa shëruar tek familjet shqiptare, si çështja e gjenocidit, masakrave, krimeve, dhjetëra mijëra përdhunimeve dhe dëmeve të luftës, ta fokusojnë si pikën kryesore dhe kusht të parë, në platformën e dialogut, duke kërkuar edhe garanci ndërkombëtare mbi këtë temë tepër e ndjeshme për shqiptarët, që nuk ka as nuk guxon të ketë ngjyrime politike dhe vazhdon të mbetet plaga më e dhembshme, e cila fatkeqësisht, tash e mbi dy dekada me qëllim u anashkalua dhe injorua nga kryekuislingu Thaçi dhe të gjitha përbërjet e kaluara të ish-qeverisjeve dhe të pjesëmarrësve në delegacionet e caktuara nga Thaçi për bisedime me shtetin okupator serb!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".