Drejtësia e degraduar nga krimo-politika bllokoi zbatimin e ligjit dhe reformat , tani vie goditja me ligjin VETING

Drejtësia e degraduar nga krimo-politika bllokoi zbatimin e ligjit dhe reformat , tani vie goditja me ligjin VETING
Drejtësia e degraduar nga krimo-politika bllokoi zbatimin e ligjit dhe reformat , tani vie goditja me ligjin VETING

Ali Hertica

  • 09 May 2021 - 08:21

Shkruan:ANALISTI- Ali Hertica

Askush në këtë vend, në këtë shtet të ri që akoma po funksionon në një brishtësi tepër të madhe të sistemit të drejtësisë, nuk mundë ta mohon faktin e mungesës së një reforme të thellë në fushën e institucioneve ligj zbatuese, për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është një arsye pse edhe në opinionin publik, sidomos atë profesional, të brendshëm dhe të jashtëm mbretëron mendimi se në punën e gjyqësorit të Kosovës janë manifestuar probleme të natyrave të ndryshme, madje edhe shumë serioze të ndikimit të grupeve kriminale të interesit dhe politikës së lidhur me krimin. Shkëputja nga kjo kapje e madhe sigurohet vetëm me ligjin VETTING.

-Bërja e reformës në sistemin e drejtësisë në Kosovë gjithsesi që për pikë synimi ka pasur shkëputjen e ndikimit nga politika, rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e shpejtë të rasteve në mënyrë të pa varur, të pa ndikuar dhe vetëm mbi baza profesionale, me intensitet dhe efikasitet të shtuar, por kjo qasje mbeti në letër, vetëm një projekt i dështuar. Në këtë aspekt, sidomos adresohet çështja e neglizhencës dhe jo profesionalizmit të duhur në zgjidhjen e lëndëve gjyqësore, e në mënyrë të veçantë çështja e përfshirjes marramendëse të personelit të gjykatave, sidomos gjyqtarëve në afera të shumta korrupsioni.

Prandaj kjo gjendje pashmangshëm do të reflektojë ndikimin e vet, madje esencial, edhe në procesin e përafrimit të Kosovës me BE-në në mënyrë shumë negative, sikur që e kemi bllokimin e liberalizimit të vizave dhe vonesën e rrugëtimit të Kosovës drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropianë dhe organizma të tjerë relevant regjional e ndërkombëtar. Përballë kësaj gjendje dhe nevojave që ka Kosova dhe qytetarët e saj shtrohet një pyetje fare e thjeshtë: çfarë gjyqësie i duhet sot e në vazhdimësi Kosovës? Përgjigja është e ditur kaherë por nuk kanë dashur ta kuptojnë as kasta e kaluar politike dhe as vetë mekanizmat e drejtësisë sepse i janë frikësuar reformimit të thellë dhe sanksionimit të llogaridhënies.

Tash ky sistem gjendet para një situatë detyrimore që të pastrohet me ligjin VETING dhe nuk ka zgjidhje tjetër opsionale. Së këndejmi, Kosovës i duhet një gjyqësi krejtësisht e pavarur dhe e pa ndikuar nga politike dhe grupet tjera të interesit. Kjo pavarësi është fare lehtë të arrihet, duhet të lihen anash të gjitha interesimet që mundë të provojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre dhe të shikohet vetëm drejtë, zbatimi me përpikëri i ligjit, e nëse ka probleme, paqartësi dhe mos përputhshmëri mes ligjeve, të kërkohet avancimi i tyre me plotësim ndryshim.

Pra, e reformuar dhe e pa varur konsiderohet ajo drejtësi, ajo gjyqësi, kur gjykatat e vendit gjykojnë sipas Kushtetutës dhe legjislacionit tjetër në fuqi. Pra, gjykatat do të mund të konsiderohen të pavarura vetëm atëherë kur gjyqtarët gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre dhe marrjes së vendimeve veprojnë në mënyrë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga personat e ndryshëm fizik apo juridik, përfshirë organet publike. Formalisht, kjo pavarësi veç është e siguruar përmes Kushtetutës dhe Ligjit për gjykatat, por pavarësisht kësaj, në aspektin praktik qytetarët e Kosovës ndeshin në një realitet krejtësisht tjetër.

Ndërhyrjet politike, sidomos të ekzekutivit në punën e gjykatave kanë vazhduar të jenë shumë evidente. Për këtë dëshmojnë konstatimet e shumta që vijnë nga institucionet relevante ndërkombëtare dhe nga organizatat vendore që bëjnë monitorimin e afërt profesional të funksionimit të sistemit të drejtësisë. Ky realitet më së miri flet për atë se sa në disa segmente në Kosovë janë larg teoria me praktikën.

Të gjithë ne e kemi të qartë ku shpie një s’përputhje e tillë e këtyre dy segmenteve, të cilat për botën e përparuar janë të pashkëputshme. Prandaj kur jemi tek segmenti i krijimit të një gjyqësie tëpavarurshtrohet domosdoshmëria që të rishikohet edhe një herë përbërja e plotë profesionale e KPK-së dhe KGJ K-së.

Në kuadër të këtij rishikimi të një faze PARAVETINGU, duhet të fillojnë të largohen nga përbërja e këtyre institucioneve të gjitha personalitetet që vijnë nga jeta institucionale e dy pushteteve të tjera: legjislativit dhe ekzekutivit, ndryshe nuk mundë të flasim për sistem të drejtësisë të reformuar që i paraprak fillimit të zbatimit të plotë të ligjit VETING. E kur flitet për reformën, rishikimin funksional, ajo reformë do të duhej të sigurojë krijimin e një legjislacioni gjithëpërfshirës që siguron vendimmarrje efikase, përgjegjësi dhe profesionalizëm në punë të gjykatave.

Edhe pse vlerësohet se Kosova ka një legjislacion bazik, ky legjislacion duhet domosdoshmërish ti nënshtrohet një procesi ndryshimi e plotësimi në mënyrë që të evitohen zbrazëtirat e shumta që aktualisht e përcjellin funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë sepse me këtë nënkuptohet vetë reformimi dhe ristrukturimi. Reforma në sistemin e drejtësisë do të duhej të sigurojë përzgjedhje vetëm profesionale të gjyqtarëve mbi bazën e kriterit të meritokracisë, sepse aktualisht në opinionin publik është krijuar bindja e plotë, dhe për këtë bindje ka fakte të mjaftueshme, se janë shumë të paktë ata gjyqtarë që janë emëruar në pozicionet e tyre mbi bazën e këtij kriteri, të etikës dhe profesionalizmit.

Bindja dhe konstatimi i bazuar është se pjesa dërmuese e gjyqtarëve janë emëruar në gjykatat e caktuara përmes preferencave dhe ndikimeve të politikes në pushtet, gjë që ka krijuar një gardë të tërë të gjyqtarëve pa kredibilitet të mjaftueshëm profesional dhe me përkushtim të dobët në përmbushje të përgjegjësive të besuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".