Prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar të nxirren për gjykim të pambrojtur nga mafia politike

Prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar të nxirren për gjykim të pambrojtur nga mafia politike

Gani Qarri

  • 19 October 2021 - 07:42

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Parimisht, seancat disiplinore për gjyqtarët duhet të jenë transparente. Transparenca duhet të jetë rregulli i artë për shqyrtimet disiplinore të gjyqtarëve, seancat do të duhet të jenë të hapura, me përjashtim të rasteve kur gjyqtari i akuzuar kërkon që të jenë të mbyllura për ndonjë segment tepër specifik. Në rastet e tilla, vendos gjykata nëse kërkesa është e justifikuar, kurse vendimet që kanë të bëjnë me disiplinën gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara si dhe vendimet përfundimtare për masa disiplinore duhet të publikohen.

Kontrolli i jashtëm në sistemin e drejtësisë, i cili parashihet të hyj në fuqi me Ligjin Vetting, do të ndikojë shumë edhe për ti adresuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien e përmbushjes së obligimeve ligjore, i cili do të realizohet kryesisht nga ekspert të pa varur jashtë gjyqësorit, për ta pamundësuar vazhdimin e betonizimit të pa prekshëm dhe veprimit më vete, pa i dhënë llogari askujt, edhe kur kemi pasur të bëjmë me shkelje serioze të detyrës zyrtare, nga udhëheqësit e kaluar dhe qeveritë e më parshme të inkriminuara në korrupsion e krim të organizuar.

Madje në koncept dokumentin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, e të cilin e ka siguruar gazeta, parashihet që për të shmangur koncentrimin e tepërt të pushtetit në një trup gjyqësor dhe perceptime për “korporatizim”, rekomandohet të bëhen dallime në mes të kompetencave të ndara dhe të ndryshme, si përzgjedhja, promovimi, trajnimi, disiplinimi, vlerësimi profesional dhe buxheti. Një opsion i mirë ky, që të themelohen trupa të pavarur me kompetencë për çështje specifike të administrimit të gjyqësorit, i cili duhet të reflektojë qëllimin e tyre të veçantë dhe që nuk janë objekt i kontrollit nga një institucion apo autoritet i vetëm.

Edhe puna e tyre parashihet të jetë e rregulluar me ligj dhe jo me dekret ekzekutiv, një dokument prej 305 faqesh, ku thuhet se me qëllim të parandalimit të pretendimeve për koorporatizim dhe garantimit të procedurave të drejta disiplinore, Këshillat Gjyqësorë nuk duhet të jenë kompetentë, a: për pranimin e ankesave dhe zhvillimin e hetimeve disiplinore, dhe b: në të njëjtën kohë, të zhvillojnë shqyrtimin dhe të marrin vendim për masat disiplinore. Ndërsa vendimet disiplinore duhet të jenë objekt i ankesës përpara gjykatës kompetente, për të zhvilluar shqyrtimin në një rast disiplinor dhe për të marrë vendime rreth masave disiplinore, që nuk duhet të jenë në përbërje ekskluzive vetëm të gjyqtarëve, por duhet të kenë përfaqësim edhe të anëtarëve jashtë profesionit gjyqësor, në mënyrë që të shmanget; “Çfarëdo lloj i kontrollit nga ekzekutivi mbi Këshillat Gjyqësorë ose trupat tjerë disiplinorë!

E për të siguruar një shqyrtim të pavarur dhe objektiv të ankesës, kryetarët e gjykatave nuk guxojnë të kenë autoritetin për të nisur apo për të miratuar një masë disiplinore, por procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve duhet të trajtojnë rastet e akuzave për sjellje të keqe profesionale të cilat janë flagrante dhe të pajustifikueshme dhe krijojnë një reputacion të keq për gjyqësorin. Madje përgjegjësia disiplinore e gjyqtarëve nuk shtrihet edhe tek përmbajtja e vendimeve të tyre, por duhet të përfshihen edhe interpretimet e ndryshme ligjore ndërmjet gjykatave; ose tek rastet e gabimeve gjyqësore, apo kritikat ndaj gjykatës.”, thuhet në këtë dokumentin në fjalë.

Për aq më tepër, Koncept dokumenti i Ligjit Vetting parasheh që për gjykimin e rasteve të disiplinës gjyqësore procedurat të zhvillohen me transparencë dhe jo të mbyllura sikur deri më tani, për çka edhe duhet të ngrihet një organ i veçantë i pavarur pa konflikt të interesit. Sipas koncept dokumentit që së shpejti bëhet ligj, organet të cilat vendosin për meritat e rastit duhet të veçohen nga ato të cilat i iniciojnë dhe hetojnë, si dhe në përbërje të tyre nuk mund të ketë anëtarë të përbashkët që ushtrojnë dy funksione. Kështu që fillimi i këtij procesi të ndërmarr ligjor e juridik, do të jetë edhe fillimi i rrënimit dhe shthurjes së kupolës së krimit të organizuar në mbarë sistemin e drejtësisë, pasi që për plotë dy dekada dhe pas shpalljes së pavarësisë, sidomos në 13 vitet e fundit, pavarësisht vërejtjeve serioze dhe kërkesave për reformim të thellë që vazhdimisht janë adresuar edhe nga BE-ja, në secilin vit në Raportet e Progresit, ky sistem ka funksionuar tërësisht i ndikuar nga politika , grupet e interesit dhe nëntoka kriminale, nën diktatin e korrupsionit dhe i mbuluar me ombrellën e krimit të organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".