Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit i manipuluar!

Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit i manipuluar!

Hajrullah Tërnava

  • 28 March 2022 - 07:25

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Tani kur është koha për zgjedhjen e kryeprokurorit, në këto rrethana të kësaj situate të krijuar, ndodhë që po rrezikohet të futet në rrugë pa krye ky proces, ose në manipulim të skandalizuar. Zgjedhje kryeprokurorit të ri të shtetit, po rezulton të përcillet me plotë dyshime dhe parregullsi, pas intervistimit të 5 kandidatëve nga konkursi i shpallur dhe poentomi i tyre nga ana e KPK-së. Koalicioni i OJQ-ve që bënë mbikëqyrjen e sistemit të drejtësisë, po e vlerëson skajshmërisht të pa rregullt procesin e deritashëm të zhvillimit të konkursit për kryeprokuror dhe po e kërkon anulimin e tij, që përzgjedhja e kryeprokurorit të kthehet në pikën zero.

Koalicioni i OJQ-ve, FOL, IKD dhe GLPS, ka kërkuar që përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit të anulohet, pasi sipas tyre ky proces ka dështuar dhe asnjë nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë. Në publikimin e raportit me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, thuhet se ky proces ka dështuar dhe si i tillë të kthehet në pikën zero. Gjatë monitorimit të këtij procesi, ata thonë se kanë parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve. Sipas koalicionit të OJQ-ve, nëse Këshilli Prokurorial nuk e anulon procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, atëherë, topi bie tek presidentja Vjosa Osmani. Koalicioni, monitorimin dhe vlerësimin në fjalë e ka bazuar në katër shtylla: 1- Vlerësimi i strukturës së procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit; 2- Analizimin e Koncept Dokumenteve të kandidatëve; 3- Monitorimin e intervistave; dhe 4- Qasjen e panelit vlerësues ndaj kandidatëve.

Koalicioni ka vlerësuar pozitivisht, për dallim nga rastet e kaluara, vetëm transparencës përkitazi me këtë proces ku ka publikuar të gjitha Koncept Dokumentet e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionin publik, sepse kjo ka mundësuar që koalicioni të bëjë një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të gjithë procesit, por koalicioni ka vlerësuar që paneli vlerësues përgjatë këtij procesi nuk arriti që kriteret e përcaktuara me kornizën ligjore t’i zbatoj në praktikë, përmbushja e të cilave përveç që është obligim ligjor, të njëjtat supozohet që të sigurojnë meritokraci në fund të procesit. Koalicioni vlerëson se paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve ndërsa në anën tjetër kandidatët nuk kanë demonstruar njohuri, aftësi dhe shkathtësi për udhëhequr për një pozitë siç është pozita e Kryeprokurorit të Shtetit duke e bërë të pavlefshëm të procesit.

Koalicioni gjatë monitorimit dhe vlerësimit të procesit ka vërejtur se jo të gjithë kandidatët janë trajtuar në mënyrë të barabartë, ku për disa kandidatë Paneli Vlerësues ka pasur një qasje të privilegjuar e cila qartazi është vërejtur në publik. Paneli intervistues nuk ka ndërtuar një intervistë të strukturuar. Kjo më së miri vërehet që disa nga kandidatët pyeten me pyetje shtesë, për dallim nga kandidatët e tjerë. Sikurse, ka pasur pyetje të cilat i janë parashtruar vetëm një kandidati dhe jo edhe kandidatëve të tjerë. Për disa kandidat, i tërë procesi i intervistimit është zhvilluar vetëm në raport me Koncept Dokumentin e dorëzuar, por jo edhe duke bërë pyetje të cilat vërtetojnë zotësitë dhe shkathtësitë e kërkuara, si pjesë e intervistës.

Lidhur me integritetin e kandidatëve, paneli vlerësues ka parashtruar pyetje të përgjithshme për secilin kandidat, duke e lënë në diskrecionin e kandidatit për të vlerësuar rastet të cilat ai konsideron se cenojnë integritetin e tij. Nga të gjithë kandidatët, vetëm kandidatit z. Armend Hamiti i bëhen dy (2) nën pyetje shtesë lidhur me rastin e publikuar nga mediet, dy (2) ditë para intervistës. Në rastin e z. Isufaj, Paneli Vlerësues nuk bënë asnjë nën pyetje lidhur me mbylljen e rastit për deklarim të rremë të pasurisë të parashtruar nga AKK, një trajtim ndryshe nga z. Armend Hamiti i cili sfidohet me dy (2) nën pyetje për një rast të raportuar në media. Po ashtu, z. Isufaj nuk pyetet dhe as nuk jep ndonjë sqarim lidhur me opinionin e AKK-së që konstatonte se emërimi në pozitën e kryeprokurorit brenda periudhës prej (2) viteve pas përfundimit të mandatit si anëtar i KPK-së, përbën konflikt të interesit. Përkundër faktit se z. Isufaj gjatë intervistës së tij thotë se në secilin rast kur ka dyshuar për konflikt të interesit këtë e ka raportuar tek eprori, i njëjti nuk pyetet dhe nuk jep sqarime se pse nuk e ka bërë këtë me rastin e emërimit të tij në krye të PSRK-së, sikurse ka vepruar z. Arben Ismajli. Tutje, Z. Isufaj po ashtu as nuk është pyetur dhe as nuk ka dhënë sqarime lidhur me akuzat publike të ish-prokurorit special Elez Blakaj të bëra ndaj tij për ndërhyrje në rastin e veteranëve.

Në rastin e z. Isufaj, ka pasur edhe raste të tjera që kanë dal në publik të cilat kanë vënë në dyshim integritetin e z. Isufaj, e të cilat raste janë kaluar në heshtje si nga paneli intervistues ashtu edhe nga ana e z. Isufaj. Në heshtje kanë kaluar edhe shumë raste të cilat në publik kanë vënë në dyshim integritetin e kandidatit Kujtim Munishi. Raste të kësaj natyre janë rasti i “Bentley të Morena Tarakut”, rastin me dhunë në familje ku ka mbetur e vdekur Sebahate Morina, e që Institucioni i Avokatit të Popullit dhe disa OJQ kanë konsideruar se Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës Sebahate Morina ia ka shkelur të drejtën në jetë. Lidhur me këtë Koalicioni vlerëson se pjesa e intervistës lidhur me integritetin ka qenë mundësi adekuate si për kandidatët, panelin vlerësues por edhe për publikun për të marrë sqarimet e duhura nga kandidatët mbi dyshimet e ngritura në publik.

Zgjedhja e Kryeprokurorit duhet të bëhet në harmoni me ligjet, dhe të përzgjidhet ndër kandidatet ai më i miri, por nëse ka mangësi ndoshta do të ishte më mirë që të prolongohet ky konkurs, dhe të shpallet rishtazi konkursi ku do të konkurronin numër më i madh për këtë vend kaq të rëndësishëm për institucionet e Kosovës, dhe përzgjedhja të bëhet edhe me kandidat të tjerë e jo vetëm nga këta që kanë shërbye në këto poste tani qe sa vite me radhë, sepse vetë fakti që ky post është ndër më të rëndësishmit e institucioneve të shtetit,është mirë që zgjedhja e tij të bëhet publikisht dhe me kritere të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, dhe në krye të këtij institucioni të vij njeriu më i përgatitur dhe autoritativ e i pastër para ligjit. Si autoritet nga e kaluara e tij e pastër dhe i pa shantazhuar, pa konflikt interesi dhe pa konflikt me ligjin, do të ketë ndikim më të madh ligjor në punën e këtij institucioni shtetëror të vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".