Lufta kundër krimit të organizuar kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional

Lufta kundër krimit të organizuar kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional
Lufta kundër krimit të organizuar kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional

Arsim Aziri

  • 04 April 2022 - 07:20

Shkruan: ANALISTI - Arsim Aziri

Nëse i referohemi raportit të OJQ-ve lidhur me të gjeturat e parregullsive, Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mos garantimit të paanshmërisë.Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent.

-Opinioni publik po e ndjek me shumë vëmendje procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të shtetit, një proces të cilin po e përcjellin shumë të pa njohura, dyshime për parregullsi dhe ankesa nga kandidatët që kanë garuar në këtë konkurs , përfshirë në listën finale dhe që janë intervistuar nga paneli intervistues. Lidhur me këtë proces si është menaxhuar, shqetësimet e veta I ka ngritur edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL , si koalicion i Organizatave të Shoqërisë Civile që e kanë monitoruar dhe vlerësuar procesin por edhe kanë konstatuar parregullësit që e kanë karakterizuar atë.

Komisioni për Rishqyrtim i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të premten ka shqyrtuar edhe kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi. Kundërshtimi i katër kandidatëve të lartpërmendur erdhi pasi Komisioni rekrutues kishte renditur në këtë garë, kandidatin Blerim Isufaj, si më të suksesshmin me 98 pikë. Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë. Nëse i referohemi raportit të OJQ-ve lidhur me të gjeturat e parregullsive, Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mos garantimit të paanshmërisë.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent. Kjo është arsyeja pse edhe Kryetariu I Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës. Adnan Rrustemi, pas vërejtjeve të dhëna nga koalicioni I OJQ-ve vëzhguese të procesit të intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve,ka kërkuar që konkursi të anulohet dhe të përsëritet rishtas. Kjo kërkesë e tillë është e arsyeshme sepse nga ana e OJQ-ve u zbulua me të dhëna konkrete se procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence. Pra një gjë të tillë e thotë me të gjetura konkrete edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat kanë kërkuar me të drejtë anulimin.

Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Gjithsesi konkurrenca e vlerave profesionale dhe transparenca në këtë proces është e domosdoshme sepse Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik. Kërkesa e qytetarëve është çdo ditë e më e zëshme, krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën.

Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare, sikur që nevojitet për krijimin e një besimi më të madh dhe imazhi pozitiv për shtetin në arenën ndërkombëtare. Prandaj është tepër me rëndësi që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor, e për tu arritur një objektiv I tillë është e rrugës që procesi i deritashëm lidhur me konkursin të anulohet, të rishpallet konkursi i ri dhe procedurat të zhvillohen me transparencë të plotë dhe profesionalizëm maksimal.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".